Osmani pas takimeve në LDK thotë se s’është deponuar asnjë nënshkrim për shkarkimin e Abdixhikut

Ish-presidentja Vjosa Osmani e cila ka qenë edhe bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e 7 qershorit, dhe kandidate për presidente, ka thënë se në zyrat e LDK-së i kanë zhvilluar disa takime.
Teksa ka dalë nga zyrat e partisë që në zgjedhje ka marrë mbi 16 për qind të votave, Osmani ka thënë se nuk është takuar vetëm me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, por se kanë pasur edhe takime të tjera.
Ajo ka thënë se nuk është deponuar asnjë nënshkrim për shkarkimin e Abdixhikut.
“Kemi biseduar si të ecim përpara edhe më fuqishëm. Nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tani”, është shprehur Osmani.
Prej të mërkurës, një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën synohet të hidhet në rend dite kërkesa për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Siç mëson KOHA, për thirrjen e mbledhjes nevojiten nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit, ndërsa më pas kërkesa për shkarkimin e kryetarit mund të vihet në votim. Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se deri të dielën nuk janë siguruar 118 nënshkrimet e nevojshme nga gjithsej 355 delegatë.



