Osimhen në radarët e Barcelonës, Galatasaray kërkon 140 milionë euro

Barcelona vazhdon ta mbajë në vëzhgim sulmuesin nigerian Victor Osimhen, megjithatë transferimi i tij në “Camp Nou” mbetet i komplikuar për shkak të çmimit të lartë që kërkon Galatasaray.
Sipas gazetarit Yagiz Sabuncuoglu, klubi turk nuk është i gatshëm të negociojë për oferta nën 140 milionë euro për kartonin e sulmuesit.
Kjo shumë reflekton sezonin fantastik që Osimhen pati gjatë edicionit 2025/26, ku u vlerësua si futbollisti më i mirë i Superligës së Turqisë dhe ishte një nga figurat kyçe në mbrojtjen e titullit nga Galatasaray.
27-vjeçari zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke kontribuar me 22 gola dhe tetë asistime në 32 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Në kampionatin turk ai regjistroi 15 gola dhe pesë asistime në 22 paraqitje, ndërsa në Ligën e Kampionëve spikati me shtatë gola dhe tri asistime në 10 ndeshje.
Një nga paraqitjet më të paharrueshme të sezonit ishte ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve, ku realizoi tre gola dhe dëshmoi edhe një herë cilësitë e tij si një prej sulmuesve më të rrezikshëm në Evropë.
Forma e mirë e Osimhenit u reflektua edhe me Nigerinë, për të cilën shënoi katër gola dhe dhuroi dy asistime në gjashtë ndeshje.
Gjatë gjithë sezonit ai grumbulloi 2.550 minuta në fushë me Galatasarayn, duke tentuar 115 herë drejt portës, ndërsa 66 nga goditjet e tij ishin në kuadrat.
Barcelona pritet të kërkojë alternativa për repartin ofensiv gjatë merkatos së verës, por kërkesa prej 140 milionë eurosh mund ta bëjë shumë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për Osimhenin.



