Në varrezën e Potoçarit këtë vit do të varrosen mbetjet mortore të 10 viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës

Në varrezën e Qendrës Memoriale në Potoçari të Bosnjë e Hercegovinës më 11 korrik do të varrosen dhjetë viktima të reja të identifikuara të Gjenocidit të Srebrenicës, mbetjet mortore të të cilave janë ekshumuar në periudhën nga viti 1997 deri në vitin 2022, raporton Anadolu.
Mes viktimave është edhe Senad Jusiq, 20 vjeç, viktima më e re që do të varroset këtë vit në varrimin kolektiv në Potoçari, ndërsa disa prej tyre do të gjejnë prehjen përfundimtare pranë baballarëve, vëllezërve dhe të afërmve pas gati tri dekadash pritjeje.
Mbetjet mortore të dy viktimave janë gjetur dhe ekshumuar që në vitin 1997, ndërsa të tjerat në periudhën 2001–2022 në lokalitetet Kamenica, Jelovaçka Çesma, Budak dhe Glogova.
Këtë vit do të varrosen babai pranë djalit, vëllai pranë vëllait, ndërsa një nga viktimat do të prehet pranë katër kushërinjve të tij.
Zëdhënësja e Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnjë dhe Hercegovinës, Emza Fazliq, tha se familjet kanë dhënë pëlqimin për varrosjen e dhjetë viktimave këtë vit dhe se lista është përfundimtare.
Ajo sqaroi se dy nga viktimat janë ekshumuar që në vitin 1997, ndërsa më e reja është gjetur në vitin 2022.
Sipas saj, viktimat që do të varrosen këtë vit kanë qenë të moshës nga 20 deri në 56 vjeç, përfshirë edhe 20-vjeçarin Senad Jusiq dhe viktimën më të vjetër të lindur në vitin 1939.
Ajo shtoi se edhe dhjetë viktima të tjera janë identifikuar, por familjet nuk kanë dhënë ende pëlqimin për varrosje këtë vit, ndërsa në ambientet e identifikimit gjenden edhe mbetje të 36 viktimave të tjera të identifikuara.
Gjithashtu, rreth 90 mbetje mortore mbeten ende pa identifikim përfundimtar, për shkak të mungesës së përputhjes së ADN-së.
– Gjenocidi i Srebrenicës
Pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe ndihmësit e tyre, pas rënies së Srebrenicës më 11 korrik 1995 gjatë luftës së viteve 90 në Bosnjë dhe Hercegovinë, vranë më shumë se 8.000 burra boshnjakë në një seri ekzekutimesh masive.
Në varrezën e Qendrës Memoriale Srebrenicës – Potoçari, deri më tani janë varrosur 6.765 viktima të gjenocidit, ndërsa 250 viktima janë varrosur në varreza lokale me vendim të familjeve.
Ndërkohë, ende vazhdojnë kërkimet për më shumë se një mijë viktima të gjenocidit.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2007 nxori vendim në të cilin konstatohet se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska (VRS) ka kryer gjenocid.
Tribunali i Hagës, Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës si dhe autoritetet e drejtësitë në Serbi dhe Kroaci deri më tani kanë dënuar gjithsej 54 persona për gjenocid dhe krime lufte me 781 vite burg dhe pesë dënime me burgim të përjetshëm. Me dënime me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, presidenti i atëhershëm i RS-së dhe komandanti i ushtrisë së atij entiteti, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.


