Në 24 orë Izraeli vret 11 palestinezë në Gaza
Të paktën 11 palestinezë kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite ndaj zonave të ndryshme të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Një burim mjekësor duke folur për Anadolu njoftoi se 2 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën nga sulmi i një mjeti ajror pa pilot (UAV) izraelit në një tendë që strehonte familjet e zhvendosura në Deir al-Belah.
Dëshmitarët okularë theksuan se artileria izraelite shënjestroi pika të ndryshme në perëndim të kampit të refugjatëve Nusairat dhe automjetet e blinduara hapën zjarr mbi shtëpitë e civilëve në lindje të fshatit Misdar.
Bëhet e ditur se 2 palestinezë u vranë në sulmin izraelit në një shtëpi në rajonin Jibaliya Nazleh në veri të Gazës, dhe 4 palestinezë u vranë dhe shumë njerëz u plagosën në sulmin intensiv ajror të kryer nga avionët luftarakë izraelitë në Beit Hanoun.
Një burim mjekësor në qytetin e Gazës njoftoi se një fëmijë i cili u plagos në sulmin izraelit të martën në mbrëmje ka vdekur sot.
Sipas deklaratës së bërë nga Njësia e Mbrojtjes Civile Palestineze në Gaza, ekipet e mbrojtjes civile shpëtuan 3 persona të plagosur nga rrënojat.
Sipas dëshmitarëve okularë, mjete ajrore pa pilot izraelite kryen një sulm intensiv në rajonin Musallebe në lagjen Zaitoun në juglindje të Gazës. Si pasojë e sulmeve, shumë njerëz u plagosën dhe ndërtesat në rajon u dëmtuan.
Ndërkohë, peshkatarët e Gazës njoftuan se marina izraelite ndaloi dy peshkatarë që po peshkonin pranë bregut të Deir al-Belah në perëndim të Rripit të Gazës.