Murtezani prezanton prioritetet si ambasador në NATO: Maqedonia e Veriut do të mbetet aleate e besueshme

Ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka prezantuar sot para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvend prioritetet dhe vizionin e tij për mandatin si ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO.
Murtezani bëri të ditur se gjatë paraqitjes para deputetëve ka shpalosur synimet dhe angazhimet e tij në përfaqësimin e vendit në Aleancën Veriatlantike, duke falënderuar anëtarët e Komisionit për diskutimin konstruktiv dhe mbështetjen e dhënë.
“Sot, para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvend, prezantova prioritetet dhe vizionin për mandatin tim si ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO”, deklaroi Murtezani.
Ai theksoi se në një periudhë të karakterizuar nga sfida të mëdha gjeopolitike, vendi duhet të vazhdojë të dëshmohet si partner i besueshëm brenda NATO-s.
“Në një kohë sfidash serioze gjeopolitike, shteti ynë ka një detyrim të qartë që të vazhdojë të veprojë si një aleat i besueshëm dhe i përgjegjshëm”, u shpreh ai.
Sipas Murtezanit, fokusi i mandatit të tij do të jetë forcimi i rolit të Maqedonisë së Veriut në sigurinë kolektive dhe në partneritetin transatlantik.
“Do të angazhohem që Maqedonia e Veriut të kontribuojë në mënyrë aktive në sigurinë e përbashkët, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, si dhe në forcimin e partneritetit transatlantik”, theksoi Murtezani.

