Kërkohet paraburgim për Bogoevin dhe tre të tjerë për ryshfet dhe kurdisje tenderi

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për ish-drejtorin e Drejtorisë së Doganave dhe ish-kryetarin e Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, një ish-ndihmësdrejtor dhe edhe dy persona të tjerë të dyshuar për manipulim të një tenderi për pastrimin e pikave kufitare dhe terminaleve.

Pasditen e sotme, të dyshuarit u nxorën para gjyqtarit të procedurës paraprake, pasi më herët ndodheshin në stacionin policor “Prolet”. Prokuroria ka siguruar prova se Bogoev dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej rreth 1.800 eurosh.

“Ekziston dyshim i bazuar se në periudhën nga korriku 2023 deri në mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për dhënien e kontratave të prokurimit publik për mirëmbajtjen e higjienës në pikat kufitare dhe terminalet, duke favorizuar një operator ekonomik të caktuar dhe duke kufizuar konkurrencën, çka i ka mundësuar subjektit juridik përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 18.479.692 denarësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas provave, Bogoev, në cilësinë e drejtorit, dyshohet se ka ndikuar në zhvillimin e procedurës së tenderit në favor të ofertuesit të përzgjedhur, ndërsa ish-ndihmësdrejtori ka ushtruar ndikim mbi kompani të tjera që të marrin pjesë në procedurë.

“Në kuadër të hetimit janë siguruar prova edhe për marrje dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ku i dyshuari i parë ka pranuar shpërblim në vlerë prej 111.600 denarësh për shfrytëzimin e pozitës së tij zyrtare dhe ndikimit real. Me qëllim zhvillimin e papenguar të procedurës penale, prokurori publik do t’i paraqesë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit”, shtojnë nga Prokuroria.

Ata ngarkohen për veprat penale: keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie e kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat, marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm.

Me njoftim publik doli edhe Drejtoria e Policisë Financiare, e cila ka paraqitur kallëzim penal kundër personave të përfshirë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button