Mucunski në Sofje: Korridori 8 është më shumë se një rrugë transporti, ai lidh interesat tona të sigurisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka theksuar rëndësinë gjeostrategjike të Korridorit 8, duke e përshkruar atë si më shumë se një rrugë transporti, transmeton Anadolu.
Përmes një postimi në platformën sociale amerikane X, Mucunski njoftoi se sot në Sofje mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin 8, ku foli në panelin e nivelit të lartë kushtuar rëndësisë gjeostrategjike të këtij korridori.
“Korridori 8 është më shumë se një rrugë transporti, ai lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, BE-në me Ballkanin Perëndimor, si dhe ekonomitë dhe interesat tona të sigurisë”, tha Mucunski.
Ai theksoi nevojën për rezultate konkrete, zbatim të koordinuar dhe përparim të dukshëm përgjatë të gjithë trasesë së Korridorit 8.
Mucunski rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e Maqedonisë së Veriut për të përmbushur pjesën e saj të detyrimeve dhe për të bashkëpunuar me Bullgarinë, Shqipërinë dhe partnerët evropianë për përshpejtimin e përfundimit të Korridorit 8.



