Mrekullia 550-vjeçare e Stambollit: Miliona vizitorë pushtojnë pazarin legjendar “Kapaliçarshi”

Numri i vizitorëve në Pazarin e Mbyllur historik të Stambollit, ndryshe njohur edhe Kapaliçarshi, i afrohet 400 mijë në ditë, gjatë festave dhe periudhave të veçanta arrin deri në 4 milionë.

Anadolu trajtoi Kapaliçarshinë, e cila prej më shumë se 550 vitesh është qendër e tregtisë dhe me strukturën e saj historike, bedestenët dhe hanet e saj mirëpret miliona vizitorë.

Kryetari i Bordit Drejtues të Kapaliçarshisë, Ilhami Yazici, në deklaratën për Anadolu tha se Kapaliçarshia është pazari i parë në botë.

“Kapaliçarshia vizitohet mesatarisht nga 350 deri në 400 mijë persona në ditë. Në fundjavë vizitohet nga rreth 700 deri në 800 mijë persona në ditë. Gjatë festave dhe periudhës së Pashkëve, këtu vijnë afërsisht nga 2,5 deri në 4 milionë vizitorë në ditë”, tha ai.

Duke folur për dyqanet në Kapaliçarshi, ai tha se: “Kapaliçarshia është një pazar me 2.550 dyqane, përfshirë Bezistanin Cevahir dhe Bezistanin Sandal, ndërsa së bashku me hanet përreth ka rreth 4.300 dyqane. Kur hyra në Kapaliçarshi në vitin 1981, çdo rrugë kishte veçantinë e saj. Kishte rrugën e qilimave, rrugën e argjendarëve, rrugën e shitësve të shapkave, rrugën e perdeve, rrugën e fustaneve të nusërisë, madje shiteshin edhe mobilie”.

Yazici tregoi se dikur klientë që përgatiteshin për martesë vinin nga zona të ndryshme të Stambollit, përfshirë Tuzlën dhe Silivrin, dhe tha se Kapaliçarshia tashmë “ka ndryshuar lëkurë”, duke u shndërruar në një pazar më turistik dhe më të gjallë me argjendaritë, suveniret, qilimat e punuar me dorë, kafenetë dhe produktet tekstile.

Në pjesën e çatisë pranohen rreth 300 vizitorë në ditë

Yazici tha se pas restaurimit të nisur gjashtë vjet më parë në një sipërfaqe prej 44 mijë metrash katrorë, pjesa e çatisë është rregulluar plotësisht.

“Pas përfundimit të restaurimit, e hapëm çatinë si për qytetarët tanë ashtu edhe për turistët. Këtu pranojmë rreth 300 vizitorë në ditë. I marrim në grupe prej 10 personash. Grupet që pranojmë i sigurojmë dhe, të shoqëruar nga guida dhe sigurimi, vizitojnë në mënyrë të sigurt të gjitha kalimet për këmbësorë që shihni rreth pazarit dhe e përfundojnë vizitën e tyre. Ata bëjnë fotografi me pamjen panoramike të Xhamisë Nuruosmaniye dhe Xhamisë Beyazit që shihen pas nesh”, u shpreh ai.

Duke theksuar se turet në çati sigurojnë të ardhura shtesë për pazarin, Yazici tha se turistët jo vetëm që promovojnë pazarin, por edhe bëjnë blerje aty, gjë që i kënaq edhe tregtarët.

Duke vënë në dukje se Kapaliçarshia ka shumë hyrje, Yazici tha: “Gjithsej ka 23 porta. Nga këto, 21 përdoren në mënyrë aktive. Portat kryesore hapen për tregtarët në orën 07:30, ndërsa për vizitorët e tjerë në orën 08:30”.

Yazici foli edhe për Sheshin e Lutjes, një nga treguesit më të rëndësishëm të “traditës së ahilikut”, që vazhdon prej rreth 550 vitesh që nga hapja e pazarit, ku tregtarët hapin dyqanet e tyre me lutje.

“Në Kapaliçarshi tregtonin sirianët, armenët, hebrenjtë, grekët dhe myslimanët. Në kohën osmane, të premteve bëhej lutje në Sheshin e Lutjes. Ne vazhdojmë këtë traditë që bëhej për mbarësinë e tregtarëve tanë”, tha ai.

Vazot, pjatat dhe produkte të tjera artizanale nga Izniku, i njohur për qeramikën e tij, janë ndër objektet që tërheqin më shumë vëmendjen e turistëve në Kapalıçarşı. Turistët që vizitojnë Kapaliçarshinë dhe shohin qeramikën e Iznikut thanë se u pëlqejnë shumë ushqimet dhe historia turke, si dhe theksuan se Kapaliçarshija është një nga pazaret më të bukura në botë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button