MPB paralajmëron: Një shkëndijë mund të shkaktojë zjarr, ndërsa të papërgjegjshmit rrezikojnë edhe burgun

Zyrtarët policorë nga Departamenti për Parandalim pranë SPB Shkupit, në bashkëpunim me përfaqësues të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, sot zhvilluan një aktivitet parandalues për mbrojtjen nga zjarret në territorin e Njësisë Policore Mirkovci, në komunën e Çuçer Sandevës.

Gjatë bisedave me banorët u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe raportimit në kohë të sjelljeve të papërgjegjshme që mund të shkaktojnë zjarre.

Nga MPB-ja theksojnë se vëmendje e veçantë iu kushtua ndalimit të hedhjes dhe djegies së mbeturinave, djegies së kashtës dhe mbetjeve bujqësore pas korrjes, ndezjes së zjarreve në ambiente të hapura dhe pranë zonave pyjore, si dhe hedhjes së bishtave të cigareve.

Qëllimi është që institucionet të mund të reagojnë në kohë dhe të parandalojnë përhapjen e zjarreve në një periudhë kur rreziku nga shpërthimi i tyre është rritur.

Qytetarët u informuan gjithashtu për dispozitat ligjore dhe sanksionet që parashikohen për sjelljet e papërgjegjshme.

“Qytetarët u informuan edhe për dispozitat ligjore dhe sanksionet, veçanërisht lidhur me legjislacionin që përfshin veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’, e rregulluar në Kodin Penal sipas nenit 288, për të cilën parashikohet dënim me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”, njoftoi MPB-ja.

Gjatë aktivitetit, banorëve iu shpërnda edhe material edukativ dhe informues me këshilla për mbrojtjen nga zjarret.

Policia zhvillon aktivitete parandaluese edhe në Shtip dhe Koçan

Ndërkohë, Departamenti për Parandalim pranë SPB Shtipit dje në stadiumin e qytetit në Shtip zhvilloi fushatën “Tifozo në mënyrë të sigurt për klubin tonë”, në prag të një ndeshjeje futbolli.

Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për tifozëri sportive dhe korrekte, si dhe parandalimin e shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike dhe incidenteve të tjera të lidhura me ngjarjet sportive.

Po atë ditë, në orët e mbrëmjes, zyrtarët policorë nga OVR Koçan zhvilluan një patrullim në komunitet në territorin e komunës së Zërnovcit, gjatë të cilit zhvilluan disa takime me qytetarët.

Gjatë takimeve u diskutua për sigurinë e të rinjve, parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë së qëndrueshme publike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button