MPB: “One Stop” është në funksion me Kosovën dhe Serbinë, ndërsa së afërmi pritet edhe me Shqipërinë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë bën të ditur se sistemi i kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop” tashmë zbatohet në pikat kufitare me Kosovën dhe Serbinë. Sipas MPB-së, me nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë po përmbyllet edhe procesi për vendosjen e këtij modeli modern me të gjithë fqinjët që nuk janë pjesë e zonës Shengen.
Nga MPB theksojnë se marrëveshja e arritur me Republikën e Shqipërisë përfaqëson hapin e radhës me peshë në këtë drejtim.
“Së shpejti edhe atje do të vendosim sistemin One Stop, me ç’rast Maqedonia do të bëhet një nga vendet e para në rajon që do të ketë këtë model të kontrolleve të përbashkëta kufitare me të gjitha shtetet fqinje jashtë zonës Shengen”.
Sipas ministrisë, zbatimi i sistemit “One Stop” u sjell qytetarëve vetëm një ndalesë dhe një kontroll të vetëm kufitar, si edhe ulje të ndjeshme të kohës së pritjes. Në të njëjtën kohë, shtetet përfitojnë menaxhim më efikas të kufijve, rritje të sigurisë, më shumë tregti, turizëm dhe ndërlidhje rajonale.
“Rezultatet tashmë janë të dukshme. Në Tabanoc, edhe pse këtë verë numri i udhëtarëve është rritur me 15 deri në 20 për qind, koha e pritjes është ulur ndjeshëm. Të njëjtën gjë e kemi mundësuar edhe në Bllacë – Hani i Elezit, ndërsa me vënien në funksion të sistemit në Jazhincë – Glloboçicë kemi përmbyllur zbatimin e kontrolleve të përbashkëta me Republikën e Kosovës”, thonë nga MPB.
“Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukturor apo administrativ. Ky është një investim në komunikim më të shpejtë mes njerëzve, bashkëpunim më të fuqishëm ekonomik, lëvizshmëri më të madhe dhe kufij edhe më të sigurt. Ne vazhdojmë të ndërtojmë një Ministri të Punëve të Brendshme moderne, e cila zbaton zgjidhje evropiane që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe e bëjnë Maqedoninë më të lidhur, më të sigurt dhe më konkurruese”, thonë nga MPB.



