Mjekët pa Kufij: Gaza, një ‘varr masiv’ për palestinezët dhe ata që u ndihmojnë

Jeta e palestinezëve po shkatërrohet në mënyrë sistematike, ndërsa bombardimet e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës tregojnë një “mospërfillje të hapur” për sigurinë e punonjësve humanitarë, ka paralajmëruar organizata Mjekët pa Kufij (MSF).

“Gaza është shndërruar në një varr masiv për palestinezët dhe ata që vijnë për t’u ofruar ndihmë. Po dëshmojmë në kohë reale shkatërrimin dhe zhvendosjen e detyruar të të gjithë popullsisë së Gazës,” tha Amande Bazerolle, koordinatore emergjencash për MSF në enklavë.

Objektet mjekësore nuk janë të përjashtuara nga sulmet dhe urdhrat e evakuimit nga forcat izraelite. Ekipet e MSF janë detyruar të largohen nga shumë objekte, ndërsa të tjera vazhdojnë të funksionojnë me staf dhe pacientë të bllokuar brenda, pa mundësi të largohen në mënyrë të sigurt për orë të tëra, thuhet në deklaratën e organizatës.

Sipas MSF, operimi brenda Gazës është bërë jashtëzakonisht i vështirë:

  • MSF raportoi për sulme si nga Hamasi ashtu edhe nga ushtria izraelite pranë spitalit të tyre fushor në Deir el-Balah, në qendër të Gazës.
  • Forcat izraelite gjithashtu kanë kryer sulme pranë komplekseve të spitaleve Al-Aqsa dhe Nasser.
  • Që nga 18 marsi, MSF nuk ka qenë në gjendje të kthehet në spitalin indonezian në veri të Gazës, ku ekipet e tyre do të nisnin kujdesin pediatrik.
  • Klinikave mobile të MSF në veri të Gazës u është pezulluar puna, ndërsa në jug, ekipet nuk kanë mundur të rikthehen në klinikën al-Shaboura në Rafah.
  • Rrethimi i plotë i Gazës ka shteruar rezervat e ushqimit, karburantit dhe pajisjeve mjekësore. MSF përballet veçanërisht me mungesë të medikamenteve për menaxhimin e dhimbjeve dhe sëmundjeve kronike, antibiotikëve dhe materialeve kirurgjikale kritike.
  • Mungesa e furnizimit me karburant në të gjithë territorin do të çojë në pezullimin e aktiviteteve, pasi spitalet mbështeten në gjeneratorë për energji elektrike për të mbajtur gjallë pacientët në gjendje kritike dhe për të kryer operacione jetike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button