Ministria e Punëve të Brendshme i ndalon përgjithmonë hyrjen në Kosovë drejtuesit të Telekomit të Serbisë

Ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB), Xhelal Sveçla, ka nxjerrë vendim për ndalimin e përhershëm të hyrjes, transitit dhe qëndrimit në territorin e Kosovës për shtetasin e Serbisë, Vladimir Luçiq, drejtues i telekomit serb “Telekom Srbija”, transmeton Anadolu.

Vendimi i cili u nënshkrua më 7 gusht 2026 dhe hyri në fuqi menjëherë, bazohet në Ligjin për të Huajt dhe në dispozitat ligjore që i japin ministrit kompetencë për të ndaluar hyrjen e një shtetasi të huaj për arsye të sigurisë shtetërore, rendit publik dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Luçiq, përmes deklaratave të tij publike, ka shfaqur qëndrime që, sipas MPB-së, cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit, ai ka promovuar dhe mbështetur publikisht veprimtari dhe politika që sfidojnë kompetencat sovrane të institucioneve të Kosovës në sektorë strategjikë, përfshirë komunikimet elektronike dhe infrastrukturën telekomunikuese.

MPB-ja vlerëson se deklaratat e Luçiqit përbëjnë propagandë kundër sovranitetit të Kosovës dhe rendit kushtetues, ndërsa, bazuar në Ligjin për të Huajt, ato konsiderohen edhe kërcënim për vendin përmes nxitjes së gjuhës së urrejtjes dhe destabilizimit.

“Prandaj, për shkak të interesave të shtetit, të sigurimit të rendit kushtetues e juridik, si dhe të sigurisë shtetërore e rendit publik, masa e ndalimit të hyrjes në Republikën e Kosovës duhet të jetë e përhershme”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Vendimi obligon institucionet përkatëse si Policinë dhe institucionet tjera që ta zbatojnë këtë masë menjëherë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button