Miliona njerëz bllokohen nga përmbytjet në Bangladesh, e fajësojnë Indinë

Zhvillimi i Bangladeshit varet nga lumenjtë dhe rrugët ujore – njerëzit varen nga burimet e ujërave për peshkim dhe bujqësinë e orizit. Vendi është gjithashtu i mësuar me përmbytjet dhe ciklonet – sidomos viteve të fundit. Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzimi po i shkaktojnë ngjarjet ekstreme të motit. Por, kjo përmbytje i ka zënë në befasi dhe njerëzit i fajësojnë zyrtarët në Indi.

Duke ecur mbi baltën që mbërrin nivelin e gjoksit, qindra njerëz janë nisur ngadalë drejt ambienteve më të sigurta, me gjërat e tyre personale mbi kokë.

Në hyrje të qytetit Feni, në juglindje të Bangladeshit, duket qartë pse e ka marrë emrin e epiqendrës së një prej përmbytjeve më të rënda të vendit. Në javën e fundit të gushtit uji ka përmbytur 11 distrikte dhe sipërfaqe të mëdha të qytetit, dhe gati 1.5 milionë banorë tani janë nën ujë.

Zhvillimi i Bangladeshit varet nga lumenjtë dhe rrugët ujore – njerëzit varen nga burimet e ujërave për peshkim dhe bujqësinë e orizit. Vendi është gjithashtu i mësuar me përmbytjet dhe ciklonet – sidomos viteve të fundit. Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzimi po i shkaktojnë ngjarjet ekstreme të motit.

Por kjo përmbytje i ka zënë në befasi dhe njerëzit i fajësojnë zyrtarët në Indi.

Dhjetëra njerëz nga Feni – që është disa milje larg nga kufiri me Indinë – e kanë akuzuar New Delhin se ka lëshuar ujë nga diga “Dumbur” në shtetin fqinj Tripura pa asnjë paralajmërim.

Duke lëvizur nëpër rrugët e qytetit, disa njerëz mund të dëgjohen duke bërtitur: “E urrejmë Indinë” dhe “Ky është ujë indian”.

“Ata e kanë hapur digën, por nuk kanë dhënë asnjë informacion”, ka thënë 29-vjeçari Shoriful Islam, punonjës i IT-së, që është rikthyer në qytetin e tij nga kryeqyteti Dhaka, si vullnetar me ekipet e shpëtimit.

India e ka mohuar se lëshimi nga diga ishte i qëllimshëm dhe ka thënë se shiu i tepërt është fajtori – edhe pse e ka pranuar se ndërprerja e energjisë elektrike dhe ndërprerja e komunikimit kanë qenë shkaktarët se pse nuk kanë arritur ta lëshonin paralajmërimin e zakonshëm për fqinjët në rrjedhën e poshtme.

“India e ka përdorur ujin si armë”, ka thënë Islami. “India është duke u hakmarrë për shkatërrimin e qeverisë së kaluar”.

“Nuk e di nëse janë gjallë”

CNN-i u është bashkuar dy misioneve të udhëhequra nga vullnetarët për të siguruar furnizime të nevojshme dhe për t’i shpëtuar të cenuarit në Feni.

E vetmja mënyrë brenda ose jashtë zonës së përmbytjes është qarkullimi me barkë – të gjitha rrugët kryesore janë të bllokuara komplet për automjetet dhe përpjekjet e shpëtimit janë duke u ngadalësuar për shkak të mungesës së rrymës dhe ndërprerjeve gati të plota të komunikimit në qytet.

Ushtria dhe marina janë mobilizuar për t’i koordinuar operacionet e shpëtimit – dhe është shtuar përpjekja vullnetare kombëtare gjatë ditëve të fundit. Zona po ndihmohet edhe nga njerëzit që vijnë prej Dhakas dhe pjesët e tjera për të ndihmuar me operacionet e shpëtimit dhe dërgesat e ndihmave.
Disa prej tyre gjithashtu janë duke u rikthyer në qytetin e tyre për t’i kërkuar anëtarët e familjes.

Vullnetari 35-vjeçar, Abdus Salam – i cili punon si mësues i gjuhës angleze në Dhaka – ka thënë se 12 anëtarë të familjes së tij janë bllokuar në një zonë rurale, 25 kilometra larg qendrës së Fenit, duke i përfshirë dy motrat e vëllain e tij, si dhe fëmijët e tyre.

“Nuk e di nëse janë akoma gjallë”, ka thënë ai. “Shumicën e kohës e kaloj duke qarë”.
“Nuk ka rrymë, gaz e as internet”, ka shtuar ai, duke u bërë thirrje komuniteteve ndërkombëtare të dërgojnë ndihma.

Gati 5 milionë njerëz në Bangladesh janë prekur nga përmbytjet dhe mbi 70 e kanë humbur jetën – por janë rritur shqetësimet se numri mund të rritet akoma, teksa ulet niveli i ujit të përmbytjes.

Në Indinë fqinje zyrtarët kanë thënë se më shumë se 64 mijë njerëz janë duke u strehuar në kampet e shpëtimit në rajonin Tripura.

Nuk është përmbytje e zakonshme

Tani zemërimi është duke u rritur në mesin e viktimave të përmbytjes në Bangladesh, sa i përket burimit të ujit që i ka përmbytur shtëpitë e tyre.

Pranay Verma, komisionar i lartë i Indisë në Bangladesh, i ka thënë qeverisë së përkohshme të Bangladeshit se ka ndodhur një “lëshim automatik” prej digës për shkak të niveleve të larta të ujit, sipas sekretarit të shtypit të qeverisë së përkohshme, Shafiqul Alam.

Por disa besojnë se politika ka luajtur rol gjithashtu.

“India është treguar çnjerëzore duke e hapur digën pa paralajmërim”, ka thënë Nahid Islami, një nga dy studentët përfaqësues në qeverinë e përkohshme të Bangladeshit, e udhëhequr nga laureati Muhammad Yunus, fitues i çmimit “Nobel” për paqe.

Tri javë më parë, Bangladeshi e ka rrëzuar ish-kryeministren afatgjatë Sheikh Hasina, pas lëvizjes protestuese të udhëhequr nga studentët kundër kuotave të punës. Këto protesta u shndërruan në lëvizje mbarëkombëtare që la të vdekur qindra njerëz. Në fund protestat e detyruan Hasinën të largohej nga pushteti.

Hasina është larguar me helikopter në Indi më 5 gusht, pasi dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar në kryeqytet dhe drejt rezidencës së saj. Gjatë 15 vjetëve të saj në pushtet, Hasina ka formuar lidhje të forta me Indinë dhe kryeministrin Narendra Modi, i cili është duke shërbyer tani një mandat të tretë të rrallë.

Pas shkarkimit të saj kanë dalë raportime të sulmeve ndëshkuese kundër njerëzve që janë parë si besnikë të partisë së Hasinës – shumë prej tyre hindu – që ka shkaktuar shqetësime të mëdha në Indinë fqinje me shumicë hindu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë ka lëshuar një deklaratë, ku është thënë se “faktikisht nuk është e saktë” që përmbytja të mendohet se ka ardhur si faj i ujit të lëshuar nga diga “Dumbur”.

Në deklaratë është thënë se përmbytjet në Bangladesh kanë ndodhur “kryesisht” nga uji që rrjedh nga zonat e mëdha ujëmbledhëse në lumin Gumti, në rrjedhën e poshtme të digës.

“Përmbytjet nga lumenjtë e përbashkët mes Indisë dhe Bangladeshit janë problem i përbashkët që u shkakton vuajtje njerëzve në të dyja anët e kufirit dhe kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë e të ndërsjellë për t’i zgjidhur këto probleme”, është thënë në deklaratë.

“Ata janë shumë të frikësuar”

Përderisa rriten tensionet diplomatike, ekipet e shpëtimit janë duke punuar tërë kohën në zonën e përmbytjes – dhe ku çdo operacion shpëtimi është sfidë e madhe logjistike.

Çfarë do të ishte zakonisht një rrugëtim katër orësh nga Dhaka tani është dyfishuar për shkak të rrugëve të bllokuara, teksa punonjësit dhe vullnetarët e shpëtimit nga i gjithë shteti përpiqen të gjejnë qasje në rajonin e përmbytur. Barkat janë të vështira të gjenden – shumë familje shkojnë për t’i marrë të afërmit e tyre, por pastaj nuk kanë një mënyrë për t’i arritur.

“Jam i pafuqishëm, sepse nuk kam barkë”, ka thënë 24-vjeçari, Yasin Arafat, i cili ka ardhur nga Dhaka në përpjekje për të arritur te babai, nëna, gjyshja dhe vëllai i tij i vogël.

Ai ka dëgjuar se ka rreth 35 familje që janë bllokuar në një çati në fshatin e tij, duke i përfshirë dy gra shtatzëna. Por, rrugëtimi zgjat tri orë me barkë nga qyteti dhe ai nuk mund të gjejë një barkë shpëtimi për të shkuar atje.

“Ata nuk kanë ujë, as ushqim dhe janë shumë të frikësuar”, ka thënë ai. “Në 48 orët e fundit nuk kam marrë asnjë lajm nga ata”.

Edhe kur njerëzit arrijnë të gjejnë një barkë, ka sektorë nëpër qytet me nivel më të lartë të tokës – duke e përfshirë hekurudhën – ku barkat duhet të transportohen manualisht nga dhjetëra vullnetarë.
Autostrada kryesore që kalon përmes Fenit tani është shndërruar në rrugën kryesore ujore – dhe është duke u përdorur si rruga kryesore nga njerëzit për të dalë në tokë të thatë.

Disa nga njerëzit që janë në gjendje të ecin për të dalë në tokë, janë duke ecur në ujë të thellë deri në bel – ose ujë të thellë deri në gjoks – duke u rrezikuar kështu nga sëmundjet e shkaktuara nga uji, gjarpërinj ose mbytja vetëm për të arritur në një vend të sigurt.

Për shumë të tjerë në pjesët më të thella të përmbytjeve është e pamundur të ecet – prandaj ata janë bllokuar në fshatrat që ndodhen disa kilometra nga qendra e qytetit. Edhe udhëtimet me barkë janë të rrezikshme në këto zona – kalimi përmes pemëve dhe kënetave të dendura rrezikon bllokimin e motorit ose goditjen nga pengesat nënujore të padukshme nga uji me baltë.

Ndërtesa qeveritare është duke u përdorur si qendër shpëtimi, ku rreth 500 njerëz janë duke u strehuar. Ndërtesat e tjera shumëkatëshe – duke e përfshirë spitalin e përmbytur dhe disa shkolla – janë duke u përdorur si shtëpi të përkohshme për ata që jetojnë në shtëpi njëkatëshe, të cilat tani janë nën ujë. Ata janë fizikisht të sigurt, por kanë mungesë të ushqimit, ujit dhe ilaçeve.

Peyara Akther, 36-vjeçare, është duke u përpjekur ta shpëtojë motrën e saj, Tanzina, dhe foshnjën e saj të sëmurë. Ajo ka thënë se foshnja njëmuajshe nuk ka qenë duke ngrënë gjatë ditëve të fundit dhe se ka nevojë të kontrollohet nga një mjek.

“Jam e shqetësuar se foshnja nuk do t’ia dalë mbanë”, ka thënë Akther.

Por pasi është përpjekur një orë ta arrijë shkollën ku ajo beson se motra e saj mund të jetë duke u strehuar, aty nuk ka shenja të tyre – dhe ndërprerja e komunikimeve ua ndërlikon problemet me të cilat po përballen këto operacione të shpëtimit.

Akther është nisur në shtëpi, me shpresën se motra e saj ka gjetur një mënyrë tjetër drejt sigurisë.
Një burrë i lindur në Feni, i cili punon si rojë sigurie në Katar, ka udhëtuar për në Bangladesh kur e ka marrë vesh se çfarë ka ndodhur në qytetin e tij.

Ai ka arritur të sigurojë një barkë me shpresën se do ta shpëtojë nënën e tij 55-vjeçare, por vendndodhja e saj është shumë e largët për t’u arritur. Në vend të kësaj, ai ka shkuar në një strehimore për t’i marrë të afërmit e tjerë.

Familja katëranëtarëshe – një nënë, fëmijë dhe gjyshërit – përpiqen të hipin në barkë, duke u ndihmuar nga njerëzit që ndodhen në bord. Ata janë të lodhur dhe siç duket edhe të uritur, duke gllabëruar arra dhe fruta të thata, si dhe duke pirë shumë ujë.

“Ne jemi të lumtur tani”, ka thënë gjyshi Mizanur Rahman Khan, 65-vjeçar. “Jemi të sigurt”.
Teksa afrohet errësira e mbrëmjes, përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë edhe gjatë natës në tentimet për t’i dërguar familjet e Fenit drejt sigurisë.

Shpresa kryesore e këtij qyteti është se njerëzit e bllokuar do të arrijnë të mbijetojnë derisa të vijnë ndihmat – ose që niveli i ujit të përmbytjes të ulet.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button