Mickoski nga Qeveria: Sot jemi mbledhur për ta shënuar dhe festuar Ditën e Alfabetit Shqip
-Kjo ditë le të na frymëzojë që të punojmë bashkë, me dashuri për diturinë, me respekt për historinë dhe me pamje nga ardhmëria. Urime Dita e Alfabetit Shqip, tha kryeministri Hristijan Mickoski në Akademinë Solemne në Qeveri me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Mickoski porositi që së bashku, të krijohet shoqëri në Maqedoninë e Veriut, ku siç theksoi, Gjuha dituria do të jetë valuta më e fuqishme.
Në vazhdim fjalimi i plotë:
-Sot, me respekt, mblidhemi së bashku për të shënuar Ditën e Alfabetit Shqiptar – simbol i arsimit, pasurisë kulturore dhe përparimit të popullit shqiptar.
Kjo ditë, 22 nëntori, na kujton Kongresin e Manastirit të mbajtur në vitin 1908. Aty, me mençuri dhe unitet, intelektualët morën një vendim që do të hapte rrugën e gjuhës shqipe drejt së ardhmes – krijimin e një alfabeti të unifikuar dhe të standardizuar. Ky vendim nuk ishte vetëm gjuhësor; ishte një akt për krijimin e së ardhmes dhe një shenjë kulturore.
Jetojmë në një kohë diversifikimi të madh të dallimeve. Komuniteti shqiptar është pjesë e kësaj mozaike. Detyra jonë e përbashkët është të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri ku çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia etnike apo gjuhësore, do të ndihet i barabartë dhe do të ketë mundësinë të japë kontributin e tij për të mirën e përbashkët.
Në këtë frymë, Dita e Alfabetit Shqiptar është një përkujtues se si shkrim-leximi dhe arsimi mund të jenë ura që lidhin njerëzit. Jo temat që na ndajnë, jo kërkesat politike të individëve që për shumë vite më parë fshiheshin pas popullit që e vidhnin. Fokusimi i qartë te përparësitë, te nevojat reale për arsim, ekonomi dhe përparim, na ndihmon të kapërcejmë dallimet, të ndajmë vlerat tona dhe të ndërtojmë një komunitet më të fortë e më të bashkuar.
Njëkohësisht, këtë ditë dua ta shfrytëzoj për të folur për dy vlerat themelore që formësojnë çdo shoqëri – shkrim-leximin dhe arsimin. Ato janë baza e zhvillimit tonë individual dhe kolektiv, mjetet që na mundësojnë të arrijmë qëllimet tona dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.
Shkrim-leximi është hapi i parë drejt lirisë. Ai na mundëson të komunikojmë, të kuptojmë dhe të shprehim potencialin tonë. Është një mjet për të fituar njohuri, për të zhvilluar të menduarit kritik dhe për të lundruar nëpër botë. Por shkrim-leximi nuk është vetëm mësim i shkronjave dhe numrave – është ura që na lidh me kulturën, historinë tonë dhe me botën që na rrethon. Arsimi, nga ana tjetër, e plotëson shkrim-leximin dhe na mundëson të zbulojmë gjithë spektrin e mundësive që kemi në dispozicion. Nëpërmjet arsimit, mësojmë vlerat themelore të njerëzimit – tolerancën, respektin dhe empatinë. Zhvillojmë aftësitë tona, hapim dyer drejt ideve të reja dhe fitojmë mjete për zgjidhjen e sfidave.
Në shtetin tonë, arsimi dhe shkrim-leximi nuk janë vetëm nevoja individuale, por edhe përgjegjësi kolektive. Ato janë kyçe për zhvillimin ekonomik, për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse dhe për forcimin e demokracisë. Vetëm qytetarët e shkolluar dhe të arsimuar mund të marrin pjesë aktivisht në jetën shoqërore, të marrin vendime të informuara dhe të kontribuojnë në prosperitetin e kombit.
Duhet të kuptojmë se arsimi nuk përfundon në bankat e shkollës. Është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës. Si shoqëri, duhet të krijojmë kushte për arsim të vazhdueshëm, për zhvillimin e aftësive dhe për inkurajimin e kreativitetit. Por, për ta arritur këtë, nevojitet një përpjekje e përbashkët. Qeveria ka përgjegjësinë të sigurojë arsim cilësor për të gjithë – pavarësisht përkatësisë etnike, gjinisë, pozitës gjeografike apo statusit social. Familjet kanë përgjegjësinë të mbështesin fëmijët e tyre në procesin arsimor, ndërsa komuniteti – të krijojë një ambient ku njohuritë do të vlerësohen dhe do të inkurajohen.
Të dashur qytetarë,
Shkrim-leximi dhe arsimi nuk janë luks – ato janë të drejta themelore dhe instrumentet më të fuqishme për transformimin e shoqërisë sonë. Rëndësia e tyre nuk mund të matet me shifra, por ndikimi i tyre shihet në jetën më të mirë të çdo individi dhe në përparimin e gjithë komunitetit.
Të investojmë në shkrim-lexim. Të hapim dyert e arsimit për të gjithë. Të krijojmë një shoqëri ku njohuritë do të jenë valuta më e fuqishme. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shtet që do të jetë i gatshëm për të ardhmen.
Le të na frymëzojë kjo ditë për të punuar së bashku, me dashuri për dijen, me respekt për historinë dhe me një vizion drejt së ardhmes.
Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqiptar!