Mickoski bën thirrje marketeve dhe distributorëve që të ulin menjëherë çmimet e produkteve bazë

Marketet duhet t’i ulin çmimet, nëse nuk e bëjnë këtë do të publikohen me emër, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai theksoi se sot në Qeveri do të kenë takim me të gjithë distributorët, tregtarët dhe marketet, ndërsa shtoi gjithashtu se kriza tashmë ka përfunduar, dhe qytetarët kanë qenë mjaft tolerantë me çmimet e larta, sipas tij, tani është radha e tregtarëve që t’u kthejnë qytetarëve dhe menjëherë t’i ulin çmimet, porositi kryeministri.
“Menjëherë të kalojnë në uljen e çmimeve të produkteve, sidomos të produkteve themelore ushqimore, këtë e pres nga ata, dhe po ashtu ne si Qeveri kemi mekanizma, nëse kjo nuk ndodh që në një mënyrë tjetër ta zbatojmë, arsyetime dhe justifikime nuk pranoj, të tipit nuk na i kanë rritur apo nuk na i kanë ulur çmimet dhe ngjashëm, nëse nuk shihet reagim nga ana e marketeve, distributorëve dhe prodhuesve në ditët në vijim, atëherë ne si qeveri do të reagojmë, dhe do të reagojmë në afat më të gjatë“, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndryshe, sipas përllogaritjeve të fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, një familjeje 4-anëtarëshe këtë muaj i janë nevojitur 68.654 denarë për të mbuluar shpenzimet bazë mujore për muajin qershor. Nëse familja jeton me qira në një banesë prej 60 metrash katrorë, shuma e nevojshme rritet dhe arrin 84.024 denarë në muaj.
Për ushqim janë nevojitur 25.120 denarë, ndërsa për shpenzime komunale 6.379 denarë. Rreth 100 euro, ose më saktë 6.511 denarë minimum, i janë nevojitur një familjeje 4-anëtarëshe për veshmbathje.
Në krahasim me muajin maj, kur shporta minimale ishte 68.742 denarë, në qershor është regjistruar një ulje prej 88 denarësh./Alsat.mk.



