Mexhiti: Nis transformimi i Çarshisë së Vjetër, investim mbi 28 milionë denarë për infrastrukturën dhe restaurimin

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se ka nisur realizimi i një prej projekteve më të rëndësishme në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, me investim prej mbi 28 milionë denarësh.
Sipas tij, punimet tashmë kanë hyrë në fazën e parë, e cila përfshin ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit. Mexhiti bëri të ditur se më pas do të vijojë restaurimi i kalldrëmit, vendosja e ndriçimit të ri në stil tradicional dhe rregullimi i hapësirës publike.
“Dje isha në terren, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, për të parë nga afër nisjen e një prej projekteve më të rëndësishme që Komuna e Çairit po realizon në këtë zonë historike”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se synimi i projektit është modernizimi i infrastrukturës, duke ruajtur njëkohësisht karakterin historik të Çarshisë.
“Me një investim prej mbi 28 milionë denarësh, po i rikthejmë Çarshisë funksionalitetin, standardin bashkëkohor dhe dinjitetin që e meriton”, u shpreh Mexhiti.



