Mexhiti në konferencën “Gruaja dhe Familja”: Përfaqësimi dinjitoz i grave mbetet prioritet

Kryetari i VLEN, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se sonte, së bashku me bashkëshorten e tij, deputetet dhe përfaqësueset e Forumit të Gruas në VLEN, ka marrë pjesë në konferencën “Gruaja dhe Familja”, të organizuar në kuadër të programit ballkanik “Gönülden Gönüle”.
Sipas Mexhitit, konferenca shërbeu si hapësirë për diskutime mbi fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe politikë, si dhe për rëndësinë e përfaqësimit dinjitoz të grave në proceset vendimmarrëse.
“Ishte një takim me diskutime të rëndësishme për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe politikë, përfaqësimin dinjitoz të grave në vendimmarrje dhe nevojën që zëri i tyre të jetë gjithnjë e më i pranishëm në institucionet ku ndërtohen politikat për qytetarët”, ka deklaruar ai.
Mexhiti ka theksuar se gruaja sot është faktor i pazëvendësueshëm në jetën publike dhe në zhvillimin demokratik të shoqërisë.
“Gruaja sot është faktor i pazëvendësueshëm në jetën publike, në zhvillimin shoqëror dhe në proceset demokratike. Kontributi i grave në politikë sjell më shumë ndjeshmëri sociale, përgjegjësi institucionale dhe qasje më afër qytetarit”, është shprehur Mexhiti.
Ai ka bërë të ditur se në konferencë është diskutuar edhe modeli i mbështetjes që AK Parti u ofron grave për përfshirje aktive në politikë dhe institucione.
Në fund, Mexhiti ka vlerësuar se pjesëmarrja e grave në politikë mbetet garanci për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.
“Pjesëmarrja dhe angazhimi i grave në politikë është garanci për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe me më shumë perspektivë për gjeneratat që vijnë”, ka përfunduar ai.



