Mexhiti merr pjesë në festën e 28 Nëntorit dhe Ditën e Shkollës në “Ismail Qemali” në Çair

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në aktivitetet festive të organizuara në shkollën fillore “Ismail Qemali”, me rastin e 28 Nëntorit dhe Ditës së Shkollës.
Përmes një njoftimi, Mexhiti theksoi rëndësinë historike të Ismail Qemalit, emrin e të cilit mban shkolla, duke rikujtuar rolin e tij në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.
“Pa emrin e Ismail Qemalit, historia e 28 Nëntorit nuk mund të tregohet. Njeriu që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 1912, sot nderohet edhe përmes emrit që mban një nga shkollat e Çairit”, shkroi Mexhiti.
Ai vlerësoi organizimin e festës, e cila bashkoi Ditën e Flamurit me Ditën e Shkollës, duke përgëzuar drejtorinë, mësimdhënësit dhe nxënësit për përkushtimin në kultivimin e kulturës dhe traditës shqiptare.
“Pata kënaqësinë të jem pjesë e kësaj feste dhe të shoh nga afër përkushtimin e drejtorisë, mësimdhënësve dhe nxënësve, të cilët përmes këtij organizimi kontribuuan në kultivimin dhe përcjelljen e mëtejshme të kulturës, traditës dhe vlerave tona shqiptare”, theksoi ai.
Në fund, Mexhiti përgëzoi drejtoreshën Teuta Imeri, stafin dhe nxënësit, ndërsa shkollës “Ismail Qemali” i uroi që të vazhdojë të jetë vatër e dijes, edukimit dhe kultivimit të vlerave kombëtare.



