Mexhiti dhe Sulejmani vizituan selinë qendrore të AK Partisë në Ankara- mesazhe për forcimin e miqësisë mes dy vendeve

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, gjatë qëndrimit në Ankara kanë vizituar selinë qendrore të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), me ftesë të nënkryetarit të Departamentit për Pushtetin lokal të kësaj partie dhe ish kryetarit të Komunës së Bursës, Rexhep Alltepe.
Gjatë vizitës, në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore u zhvillua një bashkëbisedim mbi marrëdhëniet tradicionale dhe lidhjet e forta që bashkojnë Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë, si dhe mbi mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Mexhiti dhe Sulejmani e kanë vlerësuar takimin si dëshmi të miqësisë së qëndrueshme dhe respektit të ndërsjellë, duke shprehur mirënjohje për Rexhep Alltepen për ftesën dhe mikpritjen e përzemërt.
“Falënderoj z. Alltepe për ftesën, mikpritjen e përzemërt dhe respektin e treguar, që janë dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të forta që kemi ndërtuar ndër vite”, ka theksuar ministri Sulejmani në postimin në rrjetet sociale.



