Mehmeti: Ky person qëndron prapa zhvillimeve të fundit në LDK!

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm është futur në një situatë të pasigurt, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut.
Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Sejdiun, duke rrezikuar kështu sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Analisti Faton Mehmeti, ka thënë se kriza aktuale në LDK ka qenë e pritshme dhe ia atribuon atë vazhdimit të ndikimit të grupit të Isa Mustafës brenda partisë.
Sipas tij, Lumir Abdixhiku ka gabuar që nuk i ka larguar më herët këta figura, ndërsa kritikon veçanërisht Abdullah Hotin.
Mehmeti konsideron se largimi i këtij grupi mund ta pastrojë dhe, në afat më të gjatë, ta forcojë LDK-në.
“Ka qenë e pritshme ajo që po ndodh brenda LDK-së dhe besoj se zhvillimet kanë dalë ashtu siç i kam parashikuar. Pra, që do të krijohej një krizë.
Ende është aktiv klani i Isa Mustafës brenda LDK-së dhe, sipas mendimit tim, Lumir Abdixhiku ka gabuar që në fillim, kur e ka marrë drejtimin e partisë, pasi nuk i ka larguar këta njerëz. Ka qenë e qartë se me ta do të kishte shumë probleme.
Bëhet fjalë për njerëz të Isa Mustafës, të cilët unë i konsideroj si satelitë të PDK-së brenda LDK-së. Tashmë, sipas meje, këtë grup e ka marrë nën kontroll Abdullah Hoti, i cili, në gjykimin tim, ka dështuar politikisht dhe ka qenë një figurë e përdorur për interesa të caktuara.
Prandaj, nuk besoj se mund të pritet ndonjë gjë e mirë prej tyre. Unë besoj se ata vazhdojnë të dirigjohen nga Isa Mustafa dhe se ai qëndron prapa zhvillimeve të fundit brenda LDK-së”.
Në vijim, Mehmeti thekson se Abdixhiku duhet të veprojë ndaj figurave që, sipas tij, dëmtojnë unitetin e LDK-së, duke kërkuar edhe largimin e tyre nga garat zgjedhore.
Ai vlerëson se një “pastrim” i tillë politik, ndonëse mund të sjellë kosto afatshkurtra, do ta forconte partinë në të ardhmen.
“Në këtë situatë, Lumir Abdixhiku ka të drejtë të marrë masa disiplinore ndaj këtyre njerëzve, madje edhe të mos i përfshijë në listat e kandidatëve për deputetë. Sipas meje, këta njerëz duhet të largohen, sepse vetëm përmes një procesi të tillë mund të pastrohet partia dhe të konsolidohet LDK-ja.
Në përgjithësi, edhe nëse në pamje të parë mund të duket se largimi i tyre mund ta dobësojë LDK-në, unë mendoj të kundërtën: largimi i tyre mund ta forcojë dhe ta rrisë partinë.
Prandaj, në gjykimin tim, Lumir Abdixhiku duhet të marrë masa të qarta dhe ndëshkuese ndaj tyre. Madje, mendoj se këta njerëz nuk është dashur të kandidojnë fare në zgjedhjet e fundit, sepse, sipas meje, lidhjet dhe afërsia e tyre politike me PDK-në kanë qenë të dukshme”, ka thënë ai.



