Më 13 korrik, Kuvendi do të vendosë për rikonstruimin e Qeverisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 13 korrik do të mbajë seancë kushtuar rikonstruimit të Qeverisë, ku deputetët do të vendosin për shkarkimin e disa ministrave aktualë dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të pushtetit ekzekutiv.
Propozimi për ndryshimet kadrovike, i nënshkruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, sot është dorëzuar në Kuvend, pas së cilës kryetari i Kuvendit Afrim Gashi e caktoi seancën për të hënën me fillim nga ora 11:00.
Sipas ndryshimeve të propozuara, Qeveria pritet të marrë tetë ministra të rinj. Për ministër të Drejtësisë është propozuar Jeton Shasivari, për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Agron Ferati, ndërsa për Kulturë dhe Turizëm Sedat Sulejmani.
Borçe Serafimovski është propozuar për ministër të Bujqësisë, Sasho Klekovski për Shëndetësi, Gjoko Velkovski për Politikë Sociale, Erxhan Demir për ministër pa resor përgjegjës për integrimin e romëve, ndërsa Ivan Stoilkoviq për Vetëqeverisje Lokale.
Para zgjedhjes së ministrave të rinj, Kuvendi duhet të shkarkojë bartësit aktualë të resorëve të përfshirë në rikonstruim, si dhe dy zëvendësministra.
Kryeministri Mickoski më herët paralajmëroi se me këtë rikonstruim do të shfuqizohet resori për qeverisje të mirë, ndërsa kompetencat e tij do të kalojnë drejtpërdrejt nën Kabinetin e Kryetarit të Qeverisë.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Partia Demokratike e Turqve do t’i bashkohet koalicionit qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe do të marrë një post ministror pa resor.



