Mark Rutte merr zyrtarisht detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s

Ish-kryeministri holandez, Mark Rutte mori zyrtarisht detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, raporton Anadolu.

Në selinë e NATO-s në Bruksel u mbajt një ceremoni zyrtare për dorëzimin e detyrës së Sekretariatit të Përgjithshëm nga Jens Stoltenberg te Rutte.

Në fjalimin e tij në ceremoni, Rutte falënderoi të gjithë aleatët që ia besuan detyrën.

Duke iu drejtuar Stoltenbergut, Rutte tha: “Ju keni qenë një Sekretar i Përgjithshëm shembullor. Sot NATO është më e madhe, më e fortë dhe më e bashkuar. Kjo është kryesisht falë lidershipit tuaj. Nga njëra anë, ju keni ngritur pragun (nivelin) për pasardhësin tuaj, por nga ana tjetër ju më keni mundësuar të trashëgoj një Aleancë solide”.

“Jam i vendosur të përgatis NATO-n për sfidat e së ardhmes” deklaroi Rutte i cili tha se prioritetet e tij janë të mbajë NATO-n të fortë, të sigurojë që mbrojtja kolektive të mbetet efektive dhe e besueshme kundër të gjitha kërcënimeve, të bëjë më shumë shpenzime dhe investime për mbrojtjen, të rrisë mbështetjen për Ukrainën dhe ta afrojë atë me NATO-n dhe të punojë për anëtarësimin e saj si dhe të zhvillojë bashkëpunimin me partnerët që ndajnë të njëjtat vlera në rajone si Azia-Paqësori dhe kryesisht Bashkimin Evropian (BE).

Rutte tha se Ukraina duhet të jetë anëtare e NATO-s. “Nuk mund të ketë siguri të përhershme në Evropë pa një Ukrainë të fortë dhe të pavarur”, theksoi ai.

Kreu i ri i NATO-s e përshkroi BE-në si “partner unik dhe themelor” të Aleancës dhe nënvizoi se bashkëpunimi duhet të zhvillohet dhe të vazhdojë.

– Stoltenberg dorëzoi detyrën e tij

Stoltenberg rikujtoi se Rutte ka udhëhequr katër qeveri të koalicionit në Holandë. “Ju keni treguar se dini të bëni marrëveshje. Kjo është diçka që do të vlerësohet shumë në NATO. Por, në të njëjtën kohë ju keni treguar gjithashtu se nuk hiqni dorë nga vlerat dhe parimet tona themelore”, tha ai.

Më pas Stoltenberg ia dorëzoi postin (detyrën) e tij Rutte-s.

Pasi i tha lamtumirë stafit, Stoltenberg u largua nga selia duke u duartrokitur për një kohë të gjatë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button