Maqedonia në top 5 në Evropë për rritjen e BPV-së, Mickoski: Prodhimi industrial në prill është rritur për 7.6%

Njëherë është Malta, Polonia, Serbia pastaj vjen Maqedonia…

Kështu Kryeministri Hristijan Mickoski nga Qeveria prezantoi të dhënat e Eurostat për vendin tonë, të cilat tregojnë se Maqedonia është ndër pesë të parat në Evropë sipas rritjes së bruto prodhimit vendor. Mickoski duke iu referuar të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tha se vendi ka shënuar edhe një rritje prej 7,6% të prodhimit industrial krahasuar me prillin e vitit të kaluar, si dhe ulje të papunësisë gjatë 21 muajve të fundit.
“Prodhimi industrial në prill të vitit 2026 është rritur me 7,6% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Në katër muajt e parë të vitit 2026, si rrallë ndonjë shtet në Evropë, kemi prodhim industrial që është në territor pozitiv. Rritja është e vogël, 0,2%, por megjithatë është rritje pozitive, marrë parasysh që e kemi krizën më të madhe energjetike në botë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se Qeveria do të vazhdojë me masat për uljen e deficitit buxhetor, duke siguruar se ai nuk do të jetë më i lartë se vitin e kaluar. Ajo theksoi se konsolidimi fiskal, kontrolli i shpenzimeve dhe ruajtja e stabilitetit financiar mbeten prioritetet kryesore të politikave qeveritare.

“Aktualisht po punojmë në parashikimet për ribalancimin e buxhetit. Prisnim përfundimin e muajit maj për të pasur një pasqyrë më të qartë të situatës dhe më pas për të bërë projeksionet. Natyrisht, mund të ketë korrigjime të caktuara si rezultat i masave që lidhen me akcizat për naftën dhe derivatet e saj. Mund të ketë disa devijime, por konsolidimi fiskal nënkupton se nuk do të kemi një deficit buxhetor më të lartë se ai i vitit të kaluar. Shpenzimet po monitorohen me shumë kujdes dhe të gjitha detyrimet po përmbushen në kohë”, u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska – ministre e Financave.

Në fund të fjalimit të tij, Mickoski tha se rritja ekonomike nuk është vetëm statistikë, por dëshmi e punës së përkushtuar, duke paralajmëruar një ritëm edhe më të fortë dhe fokus në tërheqjen e investimeve dhe përmirësimin e standardit të jetesës në periudhën e ardhshme.
Ministrja e Financave Dimitrieska-Koçoska, deklaroi se Qeveria e ka shlyer plotësisht euroobligacionin prej 700 milionë eurosh, i emetuar në vitin 2020. /TV21

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button