Maqedonia e Veriut synon të zhvillojë bashkëpunimin me Izraelin

Maqedonia e Veriut synon të avancojë bashkëpunimin me Izraelin në fusha si bujqësia, menaxhimi i ujërave, siguria, inovacioni, turizmi, shëndetësia dhe arsimi, si dhe të forcojë lidhjet ekonomike dhe mundësitë për investime mes dy vendeve, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi zyrtar nga ministria, në një intervistë për gazetën izraelite “The Jerusalem Post”, të dhënë gjatë vizitës së tij të parë në Izrael në cilësinë e ministrit, Mucunski ka thënë se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Izraelin duhet të ngrihen në një nivel të ri dhe të përkthehen në bashkëpunim më konkret në disa fusha me interes të ndërsjellë.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar potencialin e Maqedonisë së Veriut për t’u pozicionuar si një pikë e rëndësishme hyrëse drejt Evropës për turistët, kompanitë dhe investitorët izraelitë.
Mucunski ka deklaruar se një nga temat e para të diskutuara ka qenë mundësia e vendosjes së një linje ajrore direkte Tel Aviv-Shkup ose Tel Aviv-Ohër, me qëllim nxitjen e mëtejshme të shkëmbimeve turistike, kontakteve të biznesit dhe lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
“Një nga temat e para për të cilat diskutuam ishte mundësia e vendosjes së një linje ajrore direkte mes Tel Avivit dhe Shkupit ose Tel Avivit dhe Ohrit, i cili është qendra jonë kryesore turistike dhe një qytet që besoj se çdo izraelit do të dëshironte ta vizitonte”, ka thënë Mucunski.
Ministri ka theksuar se ambicia shkon përtej turizmit. Sipas tij, pozita strategjike e Maqedonisë së Veriut në kryqëzimin e dy korridoreve të rëndësishme evropiane të transportit, Korridoreve 8 dhe 10, si dhe investimet në ndërlidhjen energjetike, krijojnë mundësi që vendi të shërbejë si pikë hyrëse për kompanitë izraelite që dëshirojnë të zgjerojnë praninë e tyre në tregjet evropiane.
“Duam të jemi portë drejt Evropës jo vetëm për turistët izraelitë, por edhe për kompanitë izraelite. Mund të jemi edhe pikë hyrëse për investitorët izraelitë drejt një tregu evropian, potenciali i të cilit ende nuk është shfrytëzuar plotësisht nga komuniteti izraelit i biznesit, por edhe treg për eksport”, ka thënë ai.
Në intervistë është theksuar edhe potenciali për avancimin e bashkëpunimit në bujqësi, menaxhimin e ujërave, siguri, inovacion, turizëm, shëndetësi dhe arsim, si dhe në investime dhe industrinë e mbrojtjes.
Mucunski ka theksuar se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Izraelin duhet të ngrihen në një nivel të ri dhe të përkthehen në bashkëpunim më konkret në disa fusha me interes të ndërsjellë. Ai ka thënë se dinamika e shtuar e kontakteve politike është rezultat i një përcaktimi të qartë të qeverisë së vendit të tij për thellimin e mëtejshëm të partneritetit.
“Që nga formimi i qeverisë, marrëdhëniet dypalëshe me Izraelin i kemi vendosur si një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme”, ka thënë Mucunski.
Në intervistë u përmend edhe dinamika e shtuar e kontakteve mes dy vendeve gjatë periudhës së fundit, përfshirë delegacionin parlamentar të kryesuar nga deputetja Rashela Mizrahi, e cila në janar zhvilloi takime me kryetarin e Knesetit, Amir Ohana, dhe përfaqësues të tjerë izraelitë.
Sipas Mucunski, vizita dhe bisedimet në Izrael përfaqësojnë një mundësi për të avancuar më tej dinamikën pozitive ekzistuese në marrëdhëniet dypalëshe përmes lidhjeve më të forta ekonomike, rritjes së shkëmbimeve turistike dhe krijimit të mundësive të reja për investime dhe bashkëpunim biznesor.



