Liban, “zemra plastike” e krijuar nga mbetjet e luftës dhe materialet e ricikluara synon Rekordet Guinness

Pavarësisht armëpushimit, sulmet izraelite vazhdojnë në Liban, i cili po përgatitet të hyjë në Librin e Rekordeve Guinness me “zemrën plastike” më të madhe në botë, të krijuar nga mbetjet e luftës dhe materialet e ricikluara.
“Zemra plastike”, e krijuar duke përdorur materiale të ricikluara të mbledhura nga më shumë se 1.350 libanezë nga Tripoli, si dhe copa xhami të mbetura nga lufta, krahas mesazhit mjedisor dhe artistik, tregon se edhe nga një situatë “e shëmtuar” si lufta mund të krijohet një vepër e bukur.
Mbi 400 mijë materiale plastike u përdorën në një platformë prej 100 metrash katrorë
Vepra e quajtur “Pulsi i Libanit”, e përgatitur duke përdorur më shumë se 400 mijë materiale plastike në një platformë prej rreth 100 metrash katrorë, synon të bëhet zemra plastike më e madhe në botë.
Vepra e realizuar në Liban, i cili përballet me mbetjet, nuk ka një sistem gjithëpërfshirës riciklimi dhe mban mbi vete lodhjen e luftërave, ka edhe një kuptim simbolik në këtë drejtim.
Krijuesit e veprës shprehen se synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për mjedisin dhe të tregojnë se shkatërrimi i lënë pas nga lufta mund të shndërrohet, edhe në mënyrë simbolike, në një vepër që përcjell jetë dhe shpresë.
“Pulsi i Libanit” kandidat për Librin e Rekordeve Guinness
Aktivistja libaneze e mjedisit, Caroline Chaptini, e cila udhëhoqi projektin, është një emër që ka hyrë shtatë herë në Librin e Rekordeve Guinness me veprat e saj të krijuara më parë nga mbetjet plastike.
Duke folur për Anadolu, Chaptini tha se projekti “Pulsi i Libanit” u realizua në bashkëpunim me Spitalin Monla në Tripoli, i frymëzuar nga Java Botërore e Ritmit të Zemrës, e cila organizohet çdo vit në javën e parë të qershorit për të rritur ndërgjegjësimin për çrregullimet e ritmit të zemrës (aritmitë).
Chaptini tha se në kuadër të Javës së Ritmit të Zemrës lindi ideja për të krijuar zemrën plastike më të madhe në botë duke përdorur materiale të mbetura, duke shtuar se projekti me kalimin e kohës shkoi përtej dimensionit mjedisor.
“Kjo nuk mbeti vetëm në dimensionin mjedisor, por u shndërrua në një ide shpresëdhënëse që tregon se mbetjet e luftës mund të shndërrohen në një vepër artistike. Emri ‘Pulsi i Libanit’ lindi pikërisht nga kjo”, tha ajo.
Chaptini tha se pjesëmarrja e më shumë se 1.350 njerëzve nga mbarë Libani në këtë vepër do ta lehtësojë procesin e hyrjes në Librin e Rekordeve Guinness.
“Gjërat e shëmtuara” të krijuara nga dora e njeriut mund të shndërrohen sërish nga dora e njeriut në “gjëra të bukura”
Silin Saade, një nga pjesëmarrëset në projekt, tha se vepra, e realizuar në kuadër të interesimit të Spitalit Monla për qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale, bashkon shumë elemente, përfshirë shëndetin dhe mjedisin.
Saade shpjegoi se çfarë e bën të veçantë këtë “zemër” të madhe, të krijuar me materiale të ricikluara dhe me pjesëmarrjen e shumë njerëzve nga e gjithë Libani:
“Xhamat e mbetur pas sulmeve izraelite dhe të lidhur me shkatërrimin u shndërruan në një vepër që përcjell një mesazh. Mesazhi që duam të përcjellim është se nga çdo gjë e shëmtuar mund të krijojmë diçka të bukur. ‘Pulsi i Libanit’ do të vazhdojë të rrahë fuqishëm dhe ne do ta çojmë emrin e Tripolit dhe Libanit lart”, tha Saade.



