Lajçak: Shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.
Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar, por marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihet dhe se palët duhet ta kuptojnë që përparimi në dialog është thellësisht i lidhur me rrugën e tyre drejt BE-së.
“Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, ka theksuar ai.
I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt. Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë dhe akuzat që i janë bërë nga zyrtarë të Kosovës për qasje të padrejtë ndaj vendit.
Lajçak ka shtua se nuk mund të ketë marrëveshje të re me përfaqësuesin e ri të BE-së, rrjedhimisht proces të ri.
“Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia. Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë”, ka thënë ai.
Sipas Lajçakut, procesi i dialogut duhet të lidhet drejtpërdrejt me integrimin evropian. Kjo pasi sipas tij, në të kaluarën kur palët e dinin se një përparim drejt normalizimit do të sillte gjithashtu përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së, “ky ishte një motivim shumë i fortë”.