Kushtetuesja: Kuvendi është konstituuar, formimi i Qeverisë s’është antikushtetues

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se konstituimi i Kuvendit është bërë pas afatit kushtetues, por ka kërkuar që të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit të dytë dhe se si pasojë ka nisur rrjedhja e afatit për zgjedhjen e presidentit.
Kushtetuesja ka konstatuar se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit prej 30 ditësh. Megjithatë, sipas Gjykatës, kalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rastin kur posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.
Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja ka vlerësuar se deputetët duhet, sa më parë, të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
“Të konstatojë që vendimi i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.
Më 13 shtator, në mungesë të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit, por pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e PDK-së.
Më vonë gjatë së njëjtës ditë, Kuvendi votoi edhe Qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Gjykata, njëzëri, vendosi:
TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;
TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.



