Kurti: Nuk mund të presim deri në vitin 2044 për hapjen e arkivave të Serbisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, ka bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.
Kurti tha se homazhet janë bërë në kujtim të viktimave, ndërsa theksoi se për familjet e mbi 1,500 personave të pagjetur, lufta ende nuk ka përfunduar.
“Bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës, zonjën Albulena Haxhiu, me ministrin Xhelal Sveçla dhe me kolegë të tjerë nga institucionet e Republikës, por edhe me shoqatat e të pagjeturve, pra të zhdukurve me dhunë, vumë lule të freskëta dhe bëmë homazhe këtu tek memoriali i cili përkujton të gjithë qytetarët e Republikës, sidomos institucionet, se kemi familje për të cilat lufta nuk ka përfunduar ende”, tha Kurti.
Ai theksoi se familjarët e të zhdukurve vazhdojnë të jetojnë me ankth e pikëllim, pasi të dashurit e tyre ende nuk kanë një varr të dinjitetshëm.
“Janë mbi 1,500 të pagjetur, familjet e të cilëve jetojnë me ankth, me pikëllim, me mundime të cilat ne as i përshkruajmë, as i kuptojmë tamam dot, për shkak se nuk kanë një varr të dinjitetshem për më të dashurit e tyre, të cilët nuk janë thjesht numra, nuk janë as vetëm emra e mbiemra, por janë njerëz të cilët sot do të ishin mjekë, e inxhinierë, e punëtorë, e menaxherë, do të ishin arkitektë e profesorë, dhe të cilët do të kontribuonin në jetën ekonomike e shoqërore të vendit tonë, por edhe do t’i gëzonin familjet e tyre dhe do të kishin ata familjet e tyre”, tha ai.
Kurti e cilësoi zhdukjen e personave gjatë luftës si krim shumë të rëndë, duke kërkuar që përgjegjësia për të të vihet në vend.
“Andaj, ky është një krim shumë i rëndë i cili duhet të zbardhet dhe për të cilin duhet të vihet në vend përgjegjësia. Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve si sivjet na gjen në pesë javë pasi që u bënë gjetjet e para nga gërmimet në veri të Kosovës, përkatësisht në fshatin Kalludër, ku deri më tani janë zbuluar dy varreza masive: njëra prej tyre është me 13 mbetje mortore, tjetra është me 6, si dhe kemi një varrezë të tretë masive me katër, së paku katër mbetje mortore në fshatin Jabukë, 1 km larg Kalludrës në veri të vendit tonë”, tha Kurti.
Ai rikujtoi zotimin e Serbisë për bashkëpunim në hapjen e arkivave, duke theksuar rëndësinë e deklasifikimit të dosjeve të Ushtrisë Jugosllave.
“Mos harrojmë edhe deklaratën e 2 majit të vitit 2023, me të cilën Serbia zotohet që do të bashkëpunojë për hapjen e arkivave në mënyrë që të zbardhet e vërteta. Më duhet ta ritheksoj që një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, tha ai.
Kurti tha se Kosova nuk mund të presë deri në vitin 2044 për hapjen e arkivave, duke e lidhur klasifikimin e tyre me periudhën kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Mbrojtjes i Serbisë.
“Nuk mund të presim deri në vitin 2044 që të hapen këto arkiva. Ato do të duhej që të hapeshin që dje, që pardje. Ndërkohë që janë klasifikuar pikërisht në vitin 2014, atëherë kur presidenti aktual i Serbisë, Vuçiç, ishte ministër i Mbrojtjes dhe ishte gjithashtu dhe koordinatori i shërbimeve sekrete informative. Tash merreni me mend, ky që është presidenti i Serbisë sot, në vitin 2014 kur janë klasifikuar dosjet e Ushtrisë Jugosllave që kanë kryer krime në Kosovë, e në veçanti e brigadës së motorizuar 37, ka qenë ministri i Mbrojtjes dhe koordinatori i shërbimeve informative dhe sekrete të Serbisë”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë përsëriti se dosjet duhet të hapen sa më parë dhe kërkoi presion ndërkombëtar ndaj Serbisë.
“Prandaj, tash që kanë kaluar 10 vjet nga klasifikimi i kësaj dosje, nuk mund të presim ne edhe 18 vjet të tjera deri në vitin 2044 që duhet të hapen. Duhet të hapen një ditë e më parë. I falënderojmë edhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës që ishin të pranishëm sot këtu bashkë me ne për të bërë homazhe për të pagjeturit, por në të njëjtën kohë kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra milionshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve”, tha ai.
Kurti tha se mbyllja e arkivave në Beograd po i kushton shumë Kosovës, pasi institucionet detyrohen të zhvillojnë kërkime të gjata dhe të kushtueshme.
“Neve si shtet po na kushton shumë të bëjmë gërmime e gjurmime, të humbim shumë kohë. Informacionet na vijnë jo të plota, pastaj na vijnë jo të sakta, dhe është shumë frustruese edhe për organet e shtetit që të bëjmë gjithë këto gërmime e të gjejmë megjithatë jo shumë trupa. Këto gërmime nuk do të kishim nevojë që t’i bëjmë këtu rrotull sikur ta kishim hapjen e dosjeve në Beograd. Prandaj shtetit tonë po i kushton shumë, jo vetëm familjeve por edhe shtetit po i kushton shumë fakti që në Beograd dosjet vazhdojnë të jenë të mbyllura”, tha Kurti.
Ai theksoi se hapja e arkivave të Serbisë është e rëndësishme jo vetëm për familjet e të zhdukurve, por edhe për paqen në rajon.
“Prandaj hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth, dhe gjithashtu edhe për kontributin në paqen e përgjithshme në rajonin tonë”, tha ai.
Kurti tha se aktualisht ekziston një bashkërendim i madh mes institucioneve që merren me çështjen e personave të zhdukur me dhunë.
“Kurrë nuk ka pasur më shumë bashkërendim midis institucioneve që merren me çështjen e të zhdukurve me dhunë sa tani. Siç e përmendi edhe Presidentja: Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, sidomos Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prokuroria e Shtetit, Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur… që të gjithë këtë janë duke bashkëvepruar ngushtë. Është duke u punuar shumë më shumë se përpara dhe shumë më shumë se përpara jemi bashkë teksa punojmë”, shtoi Kurti.



