Kur do kërcasin prangat për mikun izraelit të Edi Ramës?

SPAK ka zbarkuar sot në fshatin Pëllumbas për të ushtruar kontroll në vilën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet.

Hetuesit po kërkojnë provat e para shkresore dhe elektronike mbi aktivitetin e tij në sektorin e mbrojtjes. Yeffet gëzon lidhje të ngushta me kryeministrin Edi Rama, duke u cilësuar publikisht në rrethet mediatike e politike si mik i tij i afërt.

Përmes kësaj mbështetjeje politike, ai ka siguruar një rol kyç në kontrollin e furnizimeve ushtarake të vendit. Biznesmeni zotëron kompani publiko-private të krijuara në vitin 2025, si “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, ku shteti ka vetëm 20 për qind të aksioneve.

Këto kompani merren me prodhimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve. Ndërhyrja e SPAK-ut lidhet edhe me fondet publike. Kompania e tij dyshohet se ka përfituar mbi 3.1 milionë euro në muaj pa asnjë tender publik përmes skandalit KAYO.

Ndërkohë, biznesmeni përballet me probleme ligjore edhe në SHBA, ku një gjykatë në Miami po e gjykon për mospagimin e një detyrimi prej miliona dollarësh.

Emri i Ron Yeffet doli në skenë pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Në ato materiale ngrihen pretendime për një skemë ndërkombëtare trafikimi armësh e municionesh.

Aty përmenden Shqipëria, kompani ushtarake private dhe struktura të KAYO-s. Në një tjetër përgjim, Yeffet flet edhe për hapjen e një fabrike armësh në Afrikë gjatë bisedave me partnerë rusë e ukrainas.

Opozita e ka akuzuar hapur atë si njeriun e afërt të kryeministrit Edi Rama që qarkullon paratë publike të përfituara nga projektet shtetërore.

Depërtimi i tij i rrufeshëm në kontratat strategjike tregon për një dorë të fortë politike që i ka hapur dyert e shtetit pa procedura konkurruese.

Këto lidhje me kupolën e pushtetit e kanë kthyer atë në një nga figurat më të përfolura të aferave ushtarake.  Zbarkimi i SPAK-ut në Pllumbas tregon se hetimi ka kaluar në një fazë dinamike. Kontrollet në banesë dëshmojnë se indiciet e mbledhura po kthehen në dyshime të arsyeshme.

Pyetja kryesore është se sa larg do të shkojë SPAK-u në zbërthimin e kësaj lidhjeje mes pushtetit politik dhe biznesit privat ushtarak. Nëse provohen shkeljet ligjore dhe favorizimet zyrtare në dhënien e fondeve publike, lëshimi i urdhër-arresteve mbetet vetëm çështje kohe.

Dosja po shkon drejt një pike kthese, ku “kërcitja e prangave” mund të prekë si biznesmenin izraelit, ashtu edhe zyrtarët e lartë shtetërorë që lehtësuan këtë aferë korruptive. \tesheshi.com\

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button