Kufizimi i marzhës për 73 produkte, LSDM: Rezultati do të jetë asgjë
LSDM-ja ka kritikuar vendimin e Ministrisë së Ekonomisë për vëndosjen e marzhës për 73 produkte, dhe thotë se rezultati nuk do të jetë asgjë. Sipas partisë opozitare maqedonase, masat e qeverisë së Hristijan Mickoskit janë të vonuara dhe nuk kanë asnjë efekt real as në uljen e çmimeve të produkteve dhe as në standardin e qytetarëve.
“Në vend të politikës ekonomike, shohim politikën kalkulative të Qeverisë së Mickoskit dhe mospërfillje totale të standardit të qytetarëve”, thonë nga LSDM.
Nga partia e Filipçes kujtojnë se vetëm LSDM-ja kur ishte në pushtet i ka ndihmuar realisht qytetarët me masat ekonomike.
“Shtatorin e kaluar 2023 LSDM miratoi masa për reduktimin e mbi 500 produkteve në 25 kategori të ndryshme dhe zbatoi një paketë kundër krizës për të ndihmuar qytetarët në vlerë prej 662 milionë euro. Është një ndihmë e vërtetë”, shtojnë nga LSDM, duke sjellë shembullin e Serbisë dhe Malit të Zi që anë ulur çmimet e mbi 700 produkteve.
“Në të njëjtën kohë, për herë të parë pas pesë vitesh rritje konstante, ndodh që paga mesatare zvogëlohet për gati 1000 denarë. Pagat janë duke u ulur dhe çmimet mbeten të larta dhe në rritje. Me politika të tilla të gabuara ekonomike të Mickoskit, standardi i qytetarëve vetëm do të ulet”, thonë nga LSDM-ja opozitare.