Kryeparlamentari turk: Populli turk i dha fund historisë së grushteve të shtetit në vend më 15 korrik 2016

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Numan Kurtulmus, ka deklaruar se populli turk i dha fund historisë së gjatë të grushteve ushtarake të shtetit në vend përmes rezistencës së tij ndaj përpjekjes së dështuar për grusht shteti të 15 korrikut të vitit 2016, raporton Anadolu.
Duke folur në një ceremoni në parlament me rastin e Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, Kurtulmus tha se trashëgimia më e madhe e asaj nate ishte “fitorja e demokracisë” dhe “vullneti kombëtar”.
Ai tha se Turqia kishte përjetuar një varg grushtesh shteti që nga periudha e vonshme osmane dhe që vazhduan gjatë historisë republikane dhe asaj të sistemit politik shumëpartiak të vendit.
“Populli i vuri vulën mëngjesin e 15 korrikut dhe e dërgoi traditën e grushteve të shtetit në koshin e plehrave të historisë”, tha ai.
Kurtulmus tha se udhëheqja politike, parlamenti, qytetarët, xhamitë dhe mediat luajtën role qendrore në mposhtjen e përpjekjes për grusht shteti.
Ai kujtoi thirrjen televizive të presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili u kërkoi qytetarëve të dalin në rrugë, duke theksuar se ky mesazh inkurajoi miliona njerëz që t’u rezistonin organizatorëve të puçit.
Kurtulmus gjithashtu lavdëroi deputetët nga i gjithë spektri politik, të cilët u mblodhën në parlament derisa ndërtesa ishte nën sulm, duke shtuar se prania e tyre tregoi forcën e demokracisë dhe unitetit kombëtar.
Ai tha se ngjarjet treguan se institucionet shtetërore nuk duhet të bëhen sferë ndikimi për asnjë grup dhe theksoi rëndësinë e transparencës, institucioneve të forta, sundimit të ligjit dhe solidaritetit kombëtar.
Më 15 korrik të vitit 2016, një fraksion brenda Forcave të Armatosura Turke, i lidhur me Organizatën Terroriste Fethullah (FETO), tentoi të rrëzojë qeverinë e zgjedhur të Turqisë.
Organizatorët e grushtit të shtetit bombarduan parlamentin dhe institucione të tjera shtetërore dhe hapën zjarr ndaj civilëve, duke vrarë 253 persona dhe duke plagosur mijëra të tjerë.



