Kryeparlamentari Gashi takon ambasadorin suedez Sollström: Eurointegrimet dhe reformat mbeten prioritet

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Suedisë në vend, Ola Sollström, ku në fokus të bisedimeve kanë qenë procesi eurointegrues, reformat dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gashi njoftoi se gjatë takimit u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e dialogut dhe përmbushjen e reformave që e afrojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Biseduam për procesin eurointegrues, reformat dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Rikonfirmuam përkushtimin tonë për avancimin e dialogut dhe përmbushjen e reformave që e afrojnë vendin drejt Bashkimit Europian”, theksoi Gashi.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në Kuvend, rëndësinë e llogaridhënies ndaj qytetarëve, si dhe për iniciativa të përbashkëta që synojnë promovimin e vlerave evropiane te të rinjtë.
“Diskutuam për zhvillimet aktuale në Kuvend, për rëndësinë e llogaridhënies ndaj qytetarëve, si dhe për iniciativa të përbashkëta që promovojnë vlerat europiane te të rinjtë”, u shpreh kryeparlamentari.
Një moment i veçantë i takimit, sipas Gashit, ishte edhe ftesa nga ambasadori suedez për t’iu bashkuar “Team Sweden” gjatë Kampionatit Botëror.
“Një gjest i bukur miqësie që dëshmon afërsinë e marrëdhënieve tona dhe vlerat që ndajmë si partnerë dhe miq”, përfundoi Gashi.



