Kryeparlamentari Gashi: Srebrenica është vula e zezë e ndërgjegjes së njerëzimit, gjenocidi duhet të emërtohet pa druajtje

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalimin e tij me rastin e 11 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, tha se masakra e vitit 1995 mbetet një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit dhe një kujtesë se urrejtja dhe indiferenca mund të çojnë në tragjedi të përmasave të gjenocidit.

Gashi theksoi se 11 korriku 1995 është data kur u vranë mbi 8.000 boshnjakë myslimanë, ndërsa e cilësoi Srebrenicën si “vulën e zezë të ndërgjegjes së njerëzimit”.

“11 korriku i vitit 1995 është data famëkeqe kur u vranë rreth 8.000 e më shumë njerëz, ‘faji’ i vetëm i të cilëve ishte përkatësia e tyre etnike dhe fetare – boshnjakë myslimanë. Aty ku përfundoi jeta e tyre mori formë një tragjedi njerëzore: një gjenocid”, deklaroi Gashi.

Ai tha se përkujtimi i viktimave nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni, por duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, drejtësi dhe përgjegjësi morale.

“Është obligim institucional e moral t’i kujtojmë dhe nderojmë viktimat e Srebrenicës, sepse kujtimi për ta është thirrje për ne: një thirrje për reflektim, drejtësi dhe përgjegjësi morale”, u shpreh kryeparlamentari.

Në fjalimin e tij, Gashi vlerësoi se dhimbja njerëzore nuk njeh kufij, fe apo kombësi, duke përmendur se tragjedi të tilla duhet të shërbejnë si mësim për të parandaluar përsëritjen e tyre.

“Dhimbja njerëzore nuk njeh kufij, fe apo gjuhë. Ajo është e njëjtë si në Srebrenicë, ashtu edhe në Reçak, siç ishte dikur në Auschwitz e siç është sot në Gaza. Ajo është e njëjtë kudo ku urrejtja ka marrë jetën e njerëzve të pafajshëm dhe kudo ku heshtja është më e rëndë se zhurma e armëve”, tha ai.

Sipas tij, gjenocidi nuk fillon me armët, por me normalizimin e urrejtjes, gjuhën që nxit përçarje dhe indiferencën ndaj padrejtësisë.

“Gjenocidi nuk fillon me zhurmën e armëve. Ai fillon shumë më herët: me indiferencën e njerëzve ndaj dhunës. Fillon me fjalën që nxit urrejtje, me mohimin e dinjitetit të tjetrit, me heshtjen para padrejtësisë dhe me indiferencën e atyre që mendojnë se e keqja është larg tyre”, deklaroi Gashi.

Duke cituar Nelson Mandelën, kryetari i Kuvendit tha se urrejtja mësohet dhe, po ashtu, njerëzit mund të mësohen edhe të duan, ndërsa nënvizoi përgjegjësinë e institucioneve për të mbrojtur jetën, dinjitetin, lirinë dhe të vërtetën.

Në përmbyllje, Gashi theksoi se nderimi më i madh për viktimat është pranimi i së vërtetës dhe emërtimi i krimit si gjenocid.

“Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë viktimave të Srebrenicës nuk është vetëm t’i kujtojmë emrat e tyre, por ta themi saktë dhe pa druajtje se aty ndodhi një gjenocid i planifikuar nga autorë që kishin për qëllim zhdukjen e një populli. Vetëm kështu kujtesa shndërrohet në përgjegjësi dhe përkujtimi në zotim”, përfundoi Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button