Kryeparlamentari Gashi pret homologun nga Bosnja, theksohet forcimi i bashkëpunimit dhe integrimi në BE

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur në takim Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Bosnjë dhe Hercegovinës, Kemal Ademović, në kuadër të aktiviteteve të Konferencës së Iniciativës Adriatiko-Joniane që po mbahet në Shkup.
Gjatë takimit, Gashi theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira dypalëshe dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, duke nënvizuar rolin e diplomacisë parlamentare dhe lidhjeve ndërmjet grupeve të miqësisë.
“Rikonfirmuam marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet vendeve tona”, deklaroi Gashi.
Ai shtoi se bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian mbeten prioritete të përbashkëta, duke vlerësuar edhe rolin e diasporës dhe të komuniteteve në forcimin e lidhjeve mes dy shteteve.
“U dakorduam të vazhdojmë të intensifikojmë partneritetin, me synim të përbashkët për të përshpejtuar integrimin në BE”, u shpreh kryeparlamentari.
Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe rëndësinë e projekteve infrastrukturore për ndërlidhjen rajonale.


