Kryeministri kanadez në Arabinë Saudite për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, vizita e parë në 26 vjet

Kryeministri kanadez Mark Carney nisi të enjten një vizitë në Arabinë Saudite, e para e një kryeministri kanadez në 26 vjet, me synim zgjerimin e lidhjeve ekonomike dhe diversifikimin e partneriteteve tregtare, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme saudite bëri të ditur se Carney u prit nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman në Pallatin Al-Salam në Xheda, ku u zhvillua një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje.
Agjencia shtetërore saudite e lajmeve SPA raportoi se të dyja palët shqyrtuan aspekte të marrëdhënieve dypalëshe, mundësitë për zhvillim në sektorë të ndryshëm, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Sipas SPA-së, Arabia Saudite dhe Kanadaja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një këshilli të përbashkët koordinues, i cili do të shërbejë si platformë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe. Dy memorandume të tjera u nënshkruan për krijimin e një këshilli bashkëpunimi saudito-kanadez dhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Një deklaratë nga zyra e Carneyt tha se dy liderët diskutuan përdorimin e ekspertizës kanadeze për të nxitur inovacionet në shëndetësi dhe mjekësi, mbështetjen e projekteve të energjisë së rinovueshme, përfshirë energjinë e erës, diellore, hidrogjenin dhe kapjen e ruajtjen e karbonit, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) për përmirësimin dhe shpëtimin e jetëve.
Sipas deklaratës, Kanadaja dhe Arabia Saudite nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi në fushat e energjisë dhe inteligjencës artificiale për të përshpejtuar këtë bashkëpunim.
Deklarata tha se Carney vlerësoi strategjinë transformuese të Arabisë Saudite, Vizionin 2030, “e cila ka sjellë investime të paprecedenta në infrastrukturë, rritje dinamike në turizëm dhe përparime në shëndetësi dhe teknologji”.
Kryeministri kanadez riafirmoi gjithashtu angazhimin e Kanadasë për ndërtimin e një partneriteti më të fortë me Arabinë Saudite, “të bazuar në besim të ndërsjellë, bashkëpunim pragmatik dhe fokus në sjelljen e përfitimeve për popujt tanë”.
Carney dhe bin Salman mirëpritën nënshkrimin e memorandumit për krijimin e Këshillit të Koordinimit Kanada-Arabi Saudite, “i cili do të forcojë bashkëpunimin në prioritetet kryesore të mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe investimeve, kulturës, arsimit, shkencës dhe çështjeve konsullore”.
Kryeministri kanadez dënoi sulmet e fundit të Iranit ndaj vendeve të Gjirit dhe rikonfirmoi mbështetjen e Kanadasë për sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendeve të rajonit, duke theksuar rëndësinë e uljes së tensioneve, mbrojtjes së civilëve dhe avancimit të përpjekjeve diplomatike për promovimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
Kjo është vizita e parë e një kryeministri kanadez në Arabinë Saudite që nga viti 2000. Carney u bë kryeministër në mars të vitit 2025.
Më 24 maj 2023, Arabia Saudite dhe Kanadaja rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një mosmarrëveshjeje pesëvjeçare mes dy vendeve.
Vizita zhvillohet në një kohë kur Kanadaja po kërkon të diversifikojë tregtinë dhe të tërheqë investime, në mes të tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump dhe kërcënimeve të tij për të mos zgjatur Marrëveshjen SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).
Ndërkohë, Arabia Saudite po përpiqet të tërheqë më shumë investime të huaja në kuadër të një plani të udhëhequr nga bin Salman për të diversifikuar ekonominë e mbretërisë dhe për të ulur varësinë nga nafta.



