Kryeministri i Katarit e quan Netanyahun “kriminel lufte”, zotohet të vazhdojë përpjekjet e ndërmjetësimit

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, e quajti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, një “kriminel lufte” të martën, ndërsa theksoi se Doha do të vazhdojë përpjekjet e saj ndërmjetësuese pavarësisht tensioneve të rritura rajonale, transmeton Anadolu.
I pyetur në një intervistë me gazetarin britanik Piers Morgan nëse ai e konsideron Netanyahun një kriminel lufte, Sheikh Mohammed tha: “Sigurisht. Ajo që është kryer në Gaza është krim lufte dhe kushdo që është përgjegjës për këtë është një kriminel lufte”.
“Spitalet janë vënë në shënjestër, shkollat janë vënë në shënjestër. Sido që të jenë arsyetimet dhe argumentet, asgjë nuk e justifikon këtë,” shtoi ai.
Ai gjithashtu akuzoi Netanyahun se ka sulmuar politikisht Katarin për të larguar vëmendjen nga sjellja e tij dhe e qeverisë së tij.
Sheikh Mohammed ripërsëriti dënimin e tij për sulmin e 9 shtatorit 2025 të Izraelit në Doha, i cili kishte në shënjestër zyrtarët e Hamasit, ndërkohë që Katari ishte i angazhuar në përpjekje për ndërmjetësim. Sulmi vrau pesë anëtarë të Hamasit dhe një oficer sigurie të Katarit.
“Ne u sulmuam nga Izraeli ndërsa po ndërmjetësonim,” tha ai, duke e përshkruar sulmin si një sulm të paprecedentë ndaj një ndërmjetësi.
“Netanyahu e ka kaluar kufirin ashtu siç ka kaluar linjat e tjera më parë” theksoi ai.
Pavarësisht tensioneve, Sheikh Mohammed tha se Katari do të vazhdojë t’i japë përparësi diplomacisë, duke argumentuar se angazhimi në prapaskenë mbetet mënyra më efektive për të bërë përparim.
“Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën për t’i dhënë këshillat më të mira qeverisë amerikane se si të arrihet një zgjidhje, gjithashtu edhe iranianëve,” tha ai.
Për konfliktin më të gjerë rajonal, ai tha se tre çështje duhen adresuar për të zbutur luftën: programi bërthamor dhe sanksionet e Iranit, liria e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit dhe marrëveshjet e sigurisë rajonale që përfshijnë Iranin dhe shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Ai tha se çdo kuadër rajonal i sigurisë duhet të ndërtohet mbi dialogun, mosndërhyrjen dhe mossulmimin, krahas bashkëpunimit më të madh ekonomik.
Më herët të martën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari tha se Doha po vazhdonte përpjekjet e ndërmjetësimit dhe po përcjell mesazhe midis SHBA-së dhe Iranit.
Ai tha se Katari mbetet i shqetësuar për përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak dhe po kërkon një zgjidhje paqësore.



