Kryeministri i Grenlandës: Presioni i ShBA-së për marrjen e kontrollit mbi ishullin vazhdon

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se presioni i ShBA-së për një marrje të mundshme të kontrollit mbi vendin ende mbetet në tryezë.

“Vetëm tre ditë më parë, i dërguari special i ShBA-së për Grenlandën tha sërish se Trump nuk ka hequr dorë nga ideja e marrjes së Grenlandës. Pra, presioni nuk ka pushuar”, tha Nielsen gjatë një forumi ekonomik në Francë.

Ai tha se Grenlanda ka qenë nën presion “të rëndë” dhe “të papranueshëm” për rreth dy vjet për shkak të pozicionit të saj gjeologjik.

“Grenlanda nuk do të heq kurrë dorë nga e drejta e saj për vetëvendosje. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga vlerat tona dhe kurrë nuk do të jemi në shitje”, deklaroi ai.

Ai gjithashtu theksoi se janë ndërmarrë hapa në “drejtimin e duhur” përmes dialogut të drejtpërdrejtë me ShBA-në, duke u shprehur se dëshirojnë të tregojnë respekt të ndërsjellë dhe të bashkëpunojnë.

“Ne duam të punojmë së bashku dhe të kemi një partneritet të fortë me vende me të njëjtat bindje, vende që ndajnë vlerat e demokracisë, respektit për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe të tjera”, tha Nielsen, duke shtuar se Franca dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë qenë një mbështetje e madhe për Grenlandën.

Ai shtoi se Grenlanda do të zgjedhë të qëndrojë përkrah BE-së, Francës, Danimarkës, vendeve nordike dhe NATO-s.

Nielsen tha se beson se një partneritet më i ngushtë mes Grenlandës dhe Evropës mund të ndihmojë në zgjidhjen e mungesës së mineraleve në kontinent dhe në uljen e varësisë nga Kina dhe vende të tjera, duke kontribuar gjithashtu në fusha si energjia, përfshirë energjinë hidrike.

Jo ndaj “presionit imperialist”

Duke folur në të njëjtin aktivitet, ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, tha se kryeministri i Greenlandës u ngrit dhe tha jo “ndërsa ndodhej nën presion kolosal dhe imperialist”.

“Populli i Grenlandës zgjodhi Evropën, zgjodhi NATO-n. Nuk është në shitje dhe nuk mund të merret me forcë. Atë ditë, ai (Nielsen) tregoi një guxim të jashtëzakonshëm. Atë ditë, ai ishte fytyra e Evropës. Bravo”, tha ai.

Barrot theksoi se kombet kanë nevojë për narrativa për të ruajtur kohezionin e tyre.

“Dhe kjo është diçka që kundërshtarët dhe rivalët tanë e kanë kuptuar në mënyrë të përsosur. Ata zhvillojnë narrativa shumë të fuqishme dhe po na përfshijnë në një betejë në fushën e perceptimeve, një luftë narrativesh”, shpjegoi ai.

Ai paralajmëroi se kur një komb nuk ka narrativën e vet, ai mund të dehet nga narrativa e të tjerëve, “nga obsesionet e tyre, standardet e tyre, kultura e tyre dhe gjuha e tyre”.

“Pra, përballë helmimit të mendjes evropiane nga narrativat e të tjerëve, çfarë duhet të bëjmë… shumë thjesht, duhet të tregojmë historinë tonë dhe të themi se kush jemi, një vend, një kontinent, një qytetërim i formuar gjatë shekujve nga arti, filozofia, shkenca dhe ligji, i cili ka sjellë përparime të mëdha si teknologjikisht ashtu edhe demokratikisht”, tha ai.

Barrot gjithashtu tha se mosmarrëveshjet që lindin mes Francës dhe ShBA-së nuk do ta fshijnë “thellësinë e kësaj marrëdhënieje, e cila është e rrënjosur në një perspektivë të përbashkët dhe një vizion të përbashkët”.

“Në çështjen e marrjes së përgjegjësisë nga Evropa për sigurinë e saj, do të them diçka paksa provokuese, ShBA-ja dhe Franca janë plotësisht në një linjë në kuptimin që Evropa duhet gradualisht të bëhet më e pavarur dhe kjo vlen për mbrojtjen, por edhe për fusha të tjera”, shtoi ai. /TRT Balkan/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button