Kryediplomati kubanez: SHBA-ja zgjodhi një rrugë të rrezikshme që mund të çojë në gjakderdhje në Kubë

Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodriguez tha të enjten se SHBA-ja zgjodhi një rrugë të rrezikshme që mund të çojë në një gjakderdhje në Kubë, duke shtuar se nuk ka patur asnjë përparim në bisedimet midis dy vendeve, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për ABC News në Havana, Rodriguez tha se i merr shumë seriozisht kërcënimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke shtuar se Kuba do të ushtrojë të drejtën e saj për mbrojtje legjitime deri në pasojat e fundit nëse sulmohet ushtarakisht.
“Duket se qeveria amerikane ka zgjedhur një rrugë të rrezikshme, një rrugë që mund të çojë në pasoja të paimagjinueshme, në katastrofë humanitare, në një gjenocid, në humbjen e jetës kubaneze dhe të të rinjve amerikanë. Kjo gjithashtu mund të çojë në një gjakderdhje në Kubë”, tha ai.
Duke folur në Florida javën e kaluar, Trumpi tha se pas operacionit në Iran, “Kuba do të jetë e radhës” dhe se SHBA-ja do të “merr kontrollin e Kubës pothuajse menjëherë”.
“Kuba nuk është kërcënim për SHBA-në, sigurinë kombëtare, politikën e jashtme, ekonominë apo mënyrën amerikane të jetesës”, tha Rodriguez duke shtuar se nuk ka patur përparim në bisedimet me SHBA-në.
“Mund t’ju them se nuk shoh asnjë përparim”, tha Rodriguez duke shtuar se Havana është gati të flasë për shumë çështje të ndryshme dypalëshe, por çështjet që lidhen me sistemin politik ose punët e brendshme të Kubës nuk janë në tryezë.
Veçmas, të enjten, Kuba dënoi sanksionet dhe kufizimet e reja të vendosura nga SHBA-ja, duke akuzuar Washingtonin për përshkallëzimin e bllokadës së saj ekonomike kundër ishullit në nivele ekstreme dhe të pashembullta.
Qeveria kubane hodhi poshtë një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Shtëpia e Bardhë më 1 maj që shtrëngon kufizimet ekonomike, financiare dhe tregtare kundër Kubës, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme. Kuba po përballet me krizë karburanti pas një embargoje të naftës të vendosur nga SHBA-ja më 30 janar, së bashku me ndërprerje të përhapura të energjisë elektrike.


