Kryediplomati iranian takon kryeministrin pakistanez mes shpresave për bisedime me SHBA-në

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi dhe delegacioni i tij janë takuar në Islamabad me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, mes përpjekjeve për të ringjallur bisedimet e ndërprera të paqes mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës 8-javore, transmeton Anadolu.
Takimi, sipas një videoje të publikuar nga zyra e kryeministrit Sharif, u ndoq gjithashtu nga ministri i Punëve të Jashtme, Ishaq Dar dhe shefi i ushtrisë, Asim Munir.
Sipas zyrës së kryeministrit, gjatë takimit po diskutohej situata rajonale.
Më herët, Araghchi zhvilloi një takim me shefin e ushtrisë Munir, i cili së fundmi kishte udhëtuar në Teheran.
Araghchi mbërriti në Pakistan mbrëmë vonë për atë që zyrtarët pakistanezë e konsiderojnë si një hap që mund të hapë rrugën për raundin e dytë të negociatave. Ai pritet gjithashtu të udhëtojë në Muskat dhe Moskë.
Raundi i parë u mbajt në Islamabad dy javë më parë, por nuk arriti një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit që filloi më 28 shkurt dhe përfshiu të gjithë Lindjen e Mesme. Këto bisedime erdhën pasi Pakistani ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor më 8 prill, i cili më pas u zgjat nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha se i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe këshilltari Jared Kushner gjithashtu do të udhëtojnë në Pakistan sot.
Irani ka refuzuar të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në dhe ka deklaruar se qëndrimet e tij do t’i përcillen Pakistanit.
Disa nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes thuhet se janë Ngushtica e Hormuzit, bllokada amerikane e porteve iraniane dhe uraniumi i pasuruar i Iranit.



