Kroacia dërgon 133 ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë

133 pjesëtarë të kontingjentit të 45-të kroat, mes tyre 12 femra ushtare, po dërgohen në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), ndërsa ceremonia zyrtare e përcjelljes u mbajt në kazermën “Pukovnik Predrag Matanoviq” në Petrinja, ku zyrtarët theksuan rëndësinë e kontributit të Kroacisë për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar, raporton Anadolu.
“Për operacionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dërgohen 133 pjesëtarë të kontingjentit të 45-të kroat, mes tyre 12 pjesëtare femra”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë.
Komandant i kontingjentit të 45-të kroat është brigadieri Marijan Grgjan.
Ushtarët kroatë u përshëndetën në emër të Qeverisë së Kroacisë nga zv/kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, i cili theksoi se pjesëtarët e ushtrisë kroate në mjedise ndërkombëtare njihen dhe vlerësohen lart.
“Çdo ushtar kroat dhe çdo kontingjent kroat që ka qenë në mision ka marrë gjithmonë vlerësimet dhe respektin më të lartë nga kolegët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s”, tha ai.
Anushiq iu referua edhe krijimit të ushtrisë kroate dhe Luftës së Atdheut, duke theksuar se ushtria kroate është unike.
“Ushtria kroate është ushtri fitimtare, e krijuar nga njësitë vullnetare, e cila ndaloi armikun dhe katër vite më vonë fitoi në Luftën e Atdheut. Kjo është dallimi mes ushtrisë kroate dhe ushtrive të tjera në botë. Pikërisht ju i përkisni kësaj ushtrie fitimtare. Ju do të mbroni reputacionin e ushtrisë kroate edhe në misionin KFOR”, tha ai.
Pjesëtarët e kontingjentit kroat do të vendosen në tre lokacione, përkatësisht në kampin “Film City” në Prishtinë, APOD në Sllatinë pranë Prishtinës dhe kampi “Villaggio Italia” në Pejë, ku do të jetë i vendosur numri më i madh i tyre.
Në operacionin paqeruajtës KFOR, forcat e armatosura kroate marrin pjesë që nga viti 2009, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe stabil, si dhe në mbështetje të institucioneve të sigurisë në Kosovë.



