Krasniqi: Hamza, kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot
Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot Këshillin Drejtues, ku është diskutuar për përgatitjen për zgjedhjet nacionale dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt janë një moment përcaktues për Kosovën dhe një mundësi për të zgjedhur një të ardhme me shpresëdhënëse.
”Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot. Udhëheqja e tij do të sjellë kompetencën dhe qartësinë për të cilën Kosova ka nevojë dëshprimisht sot. Jam i frymëzuar nga mbështetja e madhe që kemi marrë nga qytetarët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit në mërgatën tonë, gjatë këtyre muajve. Kjo mbështetje është një dëshmi e besimit që populli i Kosovës po rikthen te partia jonë, programi ynë dhe vlerat tona”, ka thënë Krasniqi.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të PDK-së të mobilizohen dhe të punojnë palodhur për fitore.
”Partia Demokratike e Kosovës qëndron e bashkuar në misionin e saj për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të mirë. Ne jemi një parti idesh dhe veprimi, vizioni dhe përkushtimi. Ne jemi partia që beson në fuqinë e njerëzve, forcën e demokracisë dhe premtimin e një të ardhmeje më të mirë. Ndërsa rritemi e zhvillohemi, le ta bëjmë këtë me guxim në zemrat tona dhe vendosmëri për veprimet tona, sepse ditët më të mira të vendit tonë janë para nesh”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.
Tutje Krasniqi ka ngritur shqetësimin lidhur me sfidat, me të cilat është përballur Kosova si keqqeverisja, cenimi i sigurisë së shtetit, prishja e raporteve me partnerët strategjikë të vendit.
Po ashtu, kryetari Krasniqi ka ngritur shqetësimin edhe për zhvillimet e fundit në Hagë, ku Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar se presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për kinse pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim.