Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtojë Kosovës mbi 10 milionë euro

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës rreth 10,8 milionë euro për organizimin e tyre më 7 qershor të vitit 2026.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhje ku ka marrë disa vendime në kuadër të fillimit të përgatitjes për organizimin e zgjedhjeve.
“Buxheti i planifikuar dhe miratuar për organizimin e këtyre zgjedhjeve është 10.887.186,445 euro”, ka njoftuar KQZ-ja.
Fushata zgjedhore për këto zgjedhje do të nisë nga 28 maji deri në kohën e hapjes së kutive të votimit më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit.
Nga data 2 deri më 10 maj do të pranohen aplikimet për certifikimin e partive politike apo iniciativave qytetare, të pa certifikuara më parë. Dorëzimi i listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara do të bëhet nga 2 deri më 12 maj.
Tërheqja e shortit për renditjen e partive politike në fletëvotime do të bëhet më 16 maj.
Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës bëhet nga 6 deri më 17 maj, ndërsa votimi përmes postës zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor.
Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor nga ora 07:00 deri në orën 19:00.



