Kosovë, 23 subjekte politike pjesë e garës në zgjedhjet e jashtëzakonshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka pranuar listat me 917 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ndërsa katër parti politike që kishin njoftuar pjesëmarrjen nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha të mërkurën se më 12 maj është përmbyllur afati për dorëzimin online të listave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike që synojnë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 12 maj 2026 është përmbyllur afati për subjektet politike për të dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.

Ai bëri të ditur se gjatë periudhës 2-12 maj, KQZ-ja ka pranuar listat nga 23 subjekte politike.

“Gjatë periudhës 11-ditore KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga: 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Katër parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë”, tha ai.

Sipas tij, numri total i kandidatëve të propozuar është 917, prej tyre 603 burra dhe 314 gra, ndërsa procesi i certifikimit pritet të përfundojë deri më 15 maj, por, paraprakisht do të shqyrtohet nëse kandidatët përmbushin detyrimet.

Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, KQZ do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, praktikë e cila ishte ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button