Kosova dhe Maqedonia më së shumti përdorin ChatGPT në rajon, Shqipëria më së paku
Anketa e fundit nga barometri i Ballkanit zbuloi se përgjithësisht, shqiptarët nga Shqipëria ishin më pak të lidhur me botën dixhitale. Risia e viteve të fundit me Inteligjencën Artificiale dhe ChatGPT-ja nuk gjen përdorimin ndër qytetarët e vendit, sipas anketës së Barometrit të Ballkanit 2024 që u realizua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Nga të pyeturit në Shqipëri vetëm 4% pohuan se kanë përdorur ChatGPT. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kishin përqindjen më të lartë të qytetarëve përdorues të Inteligjencës Artificiale me 20 dhe 13% secila. Në të kundërt të Shqipërisë, qytetarët e Kosovës ishin përdoruesit më të mëdhenj të Inteligjencës Artificiale në Rajon. Në Malin e Zi rreth 7% e popullsisë e përdorin Inteligjencën Artificiale dhe në Serbi, 6%.
Gjithashtu Shqipëria ka përqindjen më të ulët të qytetarëve që blejnë mallra dhe shërbime online. Sipas anketës në vitin 2024, vetëm 27% e qytetarëve shqiptarë kishin kryer blerje online përkundrejt 36% që ishte mesatarja rajonale. Në të kundërt kryeson Kosova, ku 44% e qytetarëve të saj kanë deklaruar se kanë kryer blerje online 12 muajt e fundit. Gjithashtu në Bosnjë 38% e qytetarëve kanë deklaruar se kanë kryer blerje online dhe 37% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Anketa ka gjetur se 12% qytetarëve shqiptarë e shikojnë Netflix, përqindja më e ulët në Rajon. Në të kundërt Kosova kishte përqindjen më të lartë në rajon me 38% e të anketuarve që ndjekin transmetuesin e amerikan të filmave dhe videove me pagesë. Pas Kosovës, Netflix ka shikueshmëri të lartë në Malin e Zi ku 25% e qytetarëve e ndjekin këtë rrjet, të ndjekur nga boshnjakët 20% dhe maqedonasit me 17%. Gjithashtu Serbia ka shikueshmëri të ulët të këtij rrjeti, me vetëm 14%.