Komuna e Çairit: Të gjitha ekipet në terren pas motit të ligë, qytetarët të raportojnë pengesat në 112

Komuna e Çairit njofton se, pas motit të ligë që ka përfshirë Shkupin, ekipet komunale, ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave dhe shërbimet e tjera kompetente janë angazhuar në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen.
Sipas komunës, ekipet janë në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe po ndërhyjnë kudo ku paraqitet nevoja për shkak të reshjeve të dendura dhe erërave të forta.
Në njoftim thuhet se shërbimet komunale do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës për të reaguar ndaj pasojave të shkaktuara nga moti i keq. Njëkohësisht, u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente.
Komuna u kërkon qytetarëve që, nëse vërejnë drunj të rrëzuar, degë të thyera apo pengesa të tjera në rrugë, t’i raportojnë në numrin emergjent 112, në mënyrë që ekipet të mund të ndërhyjnë sa më shpejt.
“Të gjitha ekipet janë vazhdimisht në terren dhe po punojnë për sanimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës kudo që paraqitet nevoja. Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë”, thuhet në komunikatën e Komunës së Çairit.

