Interpelanca për ministren Bozhinovska para deputetëve

Deputetët sot, në seancën e 128-të të Kuvendit, do të diskutojnë interpelancën për punën e ministres së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, të paraqitur nga deputetët e së Majtës (Levica). Në rend dite janë gjithsej 13 pika, përfshirë ndryshime ligjore në fushën e prokurimeve publike, mjedisit jetësor dhe shërbimeve mediatike.
Nga Levica thonë se interpelanca lidhet me borxhet e sistemit energjetik shtetëror dhe, sipas vlerësimit të tyre, me mungesën e rezultateve të pritshme gjatë periudhës së kaluar, veçanërisht në sektorin e energjetikës.
Në seancë do të shqyrtohen edhe propozimet për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve në Këshillin Gjyqësor, Këshillin Republikan për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe Bordin Drejtues të Agjencisë së Aviacionit Civil.
Para deputetëve do të jenë edhe ndryshimet ligjore, në lexim të dytë, të Ligjit për Prokurimet Publike dhe Ligjit për Mjedisin Jetësor, si dhe propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Privatizimin dhe Qiradhënien e Tokës Ndërtimore në Pronësi Shtetërore, në lexim të parë.
Në rend dite është edhe Raporti Vjetor për punën e Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve dhe Drejtësinë për Fëmijët për vitin 2025, me një pasqyrë të gjendjes së të drejtave të fëmijëve dhe delikuencës së të miturve.
Deputetët do të diskutojnë gjithashtu ndryshimet e Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, në lexim të parë.
Pika e fundit e rendit të ditës është propozim-vendimi për ndryshimin e vendimit me të cilin është miratuar zgjatja e afatit të gjendjes së krizës në një pjesë të territorit të shtetit.



