Kompanitë gjermane ngadalësojnë shkurtimet e vendeve të punës, barometri i punësimit arrin nivelin më të lartë 15-mujor
Barometri i Punësimit i Institutit Ifo u rrit në 94,8 pikë në gusht, nga 93 pikë në korrik, duke arritur nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2025

Kompanitë gjermane po planifikojnë më pak shkurtime të vendeve të punës, ndërsa tregu i punës në vend po shfaq shenja të përmirësimit gradual, sipas të dhënave të publikuara të enjten, transmeton Anadolu.
Barometri i Punësimit i Institutit Ifo u rrit në 94,8 pikë në gusht, nga 93 pikë në korrik, duke arritur nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2025.
“Tregu i punës po shfaq një përmirësim të lehtë”, ka thënë Timo Wollmershauser, kreu i kërkimeve dhe parashikimeve ekonomike në Ifo. “Megjithatë, në përgjithësi, vendet e punës ende po shkurtohen”, ka shtuar ai.
Në sektorin e prodhimit, ritmi i reduktimit të fuqisë punëtore u ngadalësua, ndërsa barometri i punësimit në këtë sektor u rrit në nivelin më të lartë që nga marsi i vitit 2024.
Megjithatë, shumica e industrive prodhuese vazhduan të fokusohen në reduktimin e stafit, tha Ifo.
Prodhuesit e pajisjeve për përpunimin e të dhënave, produkteve elektronike dhe optike, si dhe prodhuesit e ushqimeve, janë ndër përjashtimet dhe presin të rrisin numrin e punonjësve.
Perspektiva e punësimit u përmirësua gjithashtu në sektorin e tregtisë, megjithëse planet për shkurtimin e vendeve të punës vazhduan të mbizotëronin si te tregtarët me shumicë, ashtu edhe te ata me pakicë.
Në sektorin e shërbimeve, planet për punësime dhe reduktime të fuqisë punëtore ishin të balancuara, duke treguar se numri i përgjithshëm i të punësuarve pritet të mbetet i pandryshuar. Një tendencë e ngjashme u vu re edhe në sektorin e ndërtimit.
Barometri i Punësimit i Ifo-s bazohet në rreth 9.500 përgjigje mujore nga kompani në sektorët e prodhimit, ndërtimit, tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe shërbimeve.
Kompanive u kërkohet të paraqesin planet e tyre për punësimin gjatë tre muajve të ardhshëm.



