Kompania tajvaneze mohon prodhimin e pajisjeve “pager” që shpërthyen në Liban
Kompania tajvaneze “Gold Apollo” ka mohuar prodhimin e pajisjeve të komunikimit “pager” që shpërthyen anembanë Libanit, transmeton Anadolu.
Kompania tha se “Apollo Gold Corporation” ka krijuar një autorizim afatgjatë të etiketës private dhe bashkëpunim të agjencisë rajonale me kompaninë “BAC”, e cila ka një licencë për të përdorur markën e saj.
“Sipas marrëveshjes, ne autorizojmë kompaninë ‘BAC’ të përdorë markën tonë të shitjeve të produkteve në rajone specifike, por dizajni dhe prodhimi i produkteve trajtohen tërësisht nga ajo kompani”, tha kompania.
“BAC Consulting KFT” është e vendosur në kryeqytetin hungarez Budapest.
“Lidhur me raportimet e fundit në media për pagerin ‘AR-924’, ne sqarojmë se ky model prodhohet dhe shitet nga ‘BAC’-i. Ne ofrojmë vetëm autorizimin e markës tregtare dhe nuk kemi asnjë përfshirje në projektimin ose prodhimin e këtij produkti”, thuhet më tej.
Më herët, themeluesi i kompanisë “Gold Apollo”, Hsu Ching-kuang, mohoi çdo përfshirje të kompanisë së tij në krijimin e “pagerëve” në fjalë.
Sipas kanalit “Sky News Arabia”, agjencia izraelite e inteligjencës Mossad vendosi eksplozivë në bateritë e pajisjeve “pager” që shpërthyen dje në Liban, duke vrarë nëntë persona dhe duke plagosur rreth 2.750 të tjerë, përfshirë 200 në gjendje kritike.
Nga ana tjetër, “New York Times” duke cituar zyrtarë që folën në kushte anonimiteti, tha se “pagerët” që grupi libanez i porositi nga “Gold Apollo” në Tajvan ishin manipuluar para se të mbërrinin në Liban.