Komisioni Europian u kërkon nëntë vendeve të heqin kontrollet kufitare

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje nëntë shteteve anëtare të zonës Shengen që të fillojnë heqjen graduale të kontrolleve të përkohshme kufitare që kanë qenë në fuqi në kufijtë e tyre të brendshëm për më shumë se një vit.
Këto janë Austria, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Sllovenia, Suedia dhe Norvegjia, për të cilat Komisioni lëshoi opinione të ndara mbi justifikimin dhe proporcionalitetin e masave që kanë qenë në fuqi për më shumë se 12 muaj.
Komisioni pranon se vendet përballen me sfida sigurie dhe presione migratore, por thekson se kontrollet brenda zonës Shengen duhet të mbeten një masë e jashtëzakonshme dhe e përkohshme.
Brukseli beson se ka mënyra më efektive për të adresuar çështjet e sigurisë pa kufizuar lëvizjen e lirë të njerëzve.
“Ekzistojnë alternativa më efektive ndaj kontrolleve të kufijve të brendshëm”, tha Komisioni.
Shembujt përfshijnë kontrollet policore të bazuara në risk, identifikimin biometrik në celular dhe teknologjitë e gjurmimit të automjeteve.
Komisioni Evropian ka paralajmëruar se kontrollet e kufijve të brendshëm ndikojnë jo vetëm në vendin që i prezanton ato, por edhe në vendet fqinje dhe banorët e zonave kufitare.
Prandaj, Komisioni deklaron se është e rëndësishme të zvogëlohen pasojat negative për udhëtarët, punëtorët që kalojnë kufirin çdo ditë, ekonominë dhe bashkëpunimin rajonal.
Bazuar në analizën e kryer, Komisioni rekomandon që nëntë vendet të heqin gradualisht kontrollet ekzistuese, duke përdorur gjithashtu masa alternative sigurie dhe duke forcuar bashkëpunimin me fqinjët e tyre.
Henna Virkunen, Zëvendëspresidente Ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, deklaroi se liria e lëvizjes është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
“Shengeni është një nga arritjet më të mëdha të Evropës. Ai simbolizon lirinë e lëvizjes për më shumë se 450 milionë njerëz. Mendimet tona dërgojnë një mesazh të qartë: kur kontrollet rivendosen, ato duhet të mbeten të përkohshme dhe të jashtëzakonshme”, tha Virkunen.



