Kirurgu i njohur nga Manastiri arrestohet për marrje ryshfeti

Policia ka arrestuar një kirurg të njohur nga Manastiri pasi ai ka pranuar ryshfet nga një pacient.
“Më 28.01.2025, rreth orës 17:00, në ambientet e Spitalit Klinik të Manastirit, zyrtarët policorë nga Sektori për Punë të Brendshme e kanë privuar nga liria M.S. (64), mjek në repartin kirurgjik të Spitalit Klinik Manastir. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale ‘marrje ryshfeti’ sipas nenit 357 të Kodit Penal, duke kërkuar dhe pranuar ryshfet nga një pacient pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Tek ai janë gjetur dhe konfiskuar paratë, të cilat më parë ishin të shënuara. M.S. është ndaluar në stacionin policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij është ngritur kallëzim penal”, deklaroi zëdhënësja Sanja Stamatova.
Nga Spitali Klinik i Manastirit për gazetën “Nezavisen” deklaruan se e dënojnë këtë akt dhe se mjeku tashmë është pezulluar nga puna.
“Spitali Klinik ‘Dr. Trifun Panovski’ në Manastir është i njoftuar me rastin nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme – Manastir dhe inkurajon organet hetimore që të veprojnë në mënyrë transparente dhe ligjore. Si institucion, distancohemi nga veprimet e këtij mjeku dhe e dënojmë fuqishëm çdo përpjekje të punonjësve shëndetësorë për të dëmtuar pacientët në çfarëdo forme. Në këtë rast, menjëherë është ndërmarrë masa për shkarkimin e mjekut nga pozita drejtuese në spital, si dhe, në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë, është iniciuar procesi i pezullimit të tij derisa të përfundojnë hetimet, gjithmonë në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në deklaratën zyrtare të spitalit.